
Komuniteti Shqiptar i Selanikut, një prej komuniteteve më të mëdha të shqiptarëve në Greqi, përmes një komunikate publike ka njoftuar se do të bojkotojë Samitin e IV-t të Diasporës që po zhvillohet në Tiranë.
Sipas deklaratës, vendimi lidhet me mungesën e, siç e cilësojnë ata, përfaqësimit real të diasporës dhe me faktin se samitet nuk po sjellin zgjidhje konkrete për problematikat e përditshme të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Komuniteti thekson se diaspora shqiptare ne Greqi përballet çdo ditë me çështje të pazgjidhura si dokumentacioni, punësimi, integrimi social, të drejtat ligjore, pensionet dhe arsimi i fëmijëve, të cilat sipas tyre nuk adresohen në mënyrë efektive në këto forume.
Në komunikatë thuhet gjithashtu se shqetësim mbetet mënyra e përfaqësimit në samit dhe përzgjedhja e pjesëmarrësve, duke ngritur pikëpyetje mbi përfshirjen e organizatave që sipas tyre nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me punën në terren të diasporës.
Komuniteti thekson se diaspora duhet të trajtohet si partner institucional dhe jo si element formal i aktiviteteve protokollare, duke kërkuar më shumë angazhim të drejtpërdrejtë dhe politika konkrete për zgjidhjen e problemeve.
