
Ngjarjet e fundit, të lidhura me protestat e studentëve në Shkup, nxorën në pah disa çështje të debatuara me vite e që faktori politik shqiptar i ka trajtuar në mënyrë naive dhe me vonesë që nga koha e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Deputetët shqiptarë i kanë miratuar ndryshimet kushtetuese dhe ligjet, rëndom, pa analizuar mire se si ata do të zbatohet në praktikë dhe çfarë imakti do të kenë në jetën dhe punën e popullatës shqiptare.
Akademia Shqiptare e Shkencave në Maqedoni ka tërhequr vëmendjen disa here, në vitet e kaluara, se gjeneza e këtyre sulmeve ndaj përfaqësimit të drejtë dhe ndaj përdorimit të gjuhës shqipe buron nga iniciativa të caktuara institucionale. Në këtë drejtim, veçohet letra e dhjetorit 2017, e iniciuar nga profesoresha Gordana Siljanovska së bashku me përfaqësuesuesen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (MANU) Katica Kulavkova dhe drejtues të Institutit për Gjuhën Maqedonase. Kjo letër u shndërrua në iniciativë para Gjykatës Kushtetuese, ku u kontestuan 25 nene përmes gjithsej 12 iniciativave, duke vijuar me aktivitete të ngjashme edhe pas miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Në Kuvendin vjetor të MANU-së, më 26 mars 2025, kryetari i saj deklaroi hapur se gjuha shqipe nuk duhet të përdoret në sektorë si ushtria, policia, shëndetësia dhe jurisprudenca, duke dëshmuar një qasje përjashtuese dhe shqetësuese.
Ne vlerësojmë se lëvizja studentore përfaqëson një korrigjues të domosdoshëm të klasës politike dhe universitare shqiptare, e cila shpesh nuk ka mbrojtur në mënyrë të duhur interesin kombëtar, në përputhje me Amendamentin V të Kushtetutës, por ka vepruar me vonesë dhe e përçarë.
Informojmë opinionin publik se fushata kundër Marrëveshjes së Ohrit, mekanizmit të balancuesit dhe ligjit për gjuhën është pjesë e një agjende të caktuar politike që synon zhbërjen e arritjeve kyçe shtetformuese dhe marrëveshjeve ndërkombëtare me Greqinë dhe Bullgarinë.
Të drejtat gjuhësore të shqiptarëve nuk mund të ngushtohen përmes manovrave në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, profesionalizmi në punësime, nuk mund të interpretohet në mënyrë diskriminuese, sikur një etni të jetë më profesionale se tjetra.
Andaj, është koha që liderët politikë me vullnet të mirë të nisin dialogun dhe të hapin rrugë të reja për përdorimin e barabartë të gjuhës maqedonase dhe të gjuhës shqipe në të gjitha sferat e jetës publike.
Akademia jonë mbron qëndrimin se krahasimi i hapësirës publike të gjuhës shqipe me gjuhë të tjera si ajo rome, vllehe , më pak të përfaqësuara , është i papranueshëm dhe fyes.
Përshëndesim qëndrimin dinjitoz të ish-presidentit Pendarovski dhe të kryetarit të LSDM-së, Filipçe, të cilët kanë vlerësuar se qeveria po nxit pa nevojë tensione ndëretnike.
Jemi të sigurt se askush dhe asnjëherë nuk mund të mposhtë ata që mbrojnë gjuhën e tyre amtare dhe se këto orvatje dhe sulme do të dështojnë.
11.04.2026, Tetovë , këshilli për informim
