
Eliot Engel,në kujtim të tij nga
Harry Bajraktari
Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se ka ndërruar jetë miku i madh i shqiptarëve, Kongresmeni amerikan Eliot Engel, zëri i shqiptarëve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për më shumë se tri dekada. Ai është një mik i pazëvendësueshëm i kombit shqiptar, një nga më meritorët që sot e kemi Kosovën e lirë e të pavarur, si dhe Shqipërinë demokratike e pjesë të NATO-s
Për mua personalisht, Eliot Engel ka qenë si vëlla i imi dhe miku im më besnik në betejat tona për Kosovën. Që nga dita e parë, në vitin 1989, kur trokita në derën e zyrës së tij për t’i folur për vuajtjet e popullit të Kosovës, ai hapi jo vetëm zyrën, por edhe zemrën e tij për popullin shqiptar.
Populli shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, në Luginë të Preshevës, Çamëri e diasporë do ta kujtojë përgjithmonë si një nga miqtë më të mëdhenj që kemi pasur ndonjëherë në Washington dhe New York. Ai ishte pranë nesh në ditët tona më të errëta dhe ishte pranë nesh edhe në ditët tona më të lumtura, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe Shqipëria u bë pjesë e NATO-s.
Sot kombi shqiptar i përkulet me mirënjohje të pafund këtij njeriu të drejtë dhe fisnik. Historia jonë nuk mund të shkruhet pa emrin e Eliot Engel. Atë do ta kujtojmë si kongresmenin e shqiptarëve, mikun që nuk na tradhtoi kurrë, njeriun që foli për ne kur nuk kishim zë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Engel, bashkëshortes së tij Pat Engel, fëmijëve dhe të gjithë familjarëve e miqve të tij. Sot ndajmë dhimbjen me ta, por edhe krenarinë që kemi pasur fatin ta quajmë Eliot Engel mikun tonë.
Shpirti i tij u prehtë në paqe. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Eliot Engel 🙏
