
U ulëm në ballkon me nga një kafe, ndërsa rrezet e diellit i binin drejt në fytyrë nënës, Feride Oseku dhe ia ndriçonin sytë me një qetësi që vetëm vitet dinë me e sjellë. Sot më uroi Ditën e Kosharës.
Filluam me bisedu për atë kohë. Ashtu, pa plan, si vijnë kujtimet vetë.
“Ku ishe sot, para 27 vitesh?” – më pyeti.
I thashë: “Me Babushin.”
Dhe menjëherë më erdhi ajo skena në mendje… unë, djalë i ri, kokëfortë, duke i rënë kokës murit nga dëshira për me shku në luftë. Një zjarr që s’e ndalja dot. Një ndjenjë që më dukej më e madhe se vetja.
Por përballë meje ishte Babushi – Gjenerali Kudusi Lame.
Ai nuk fliste shumë atëherë, por e dinte çfarë ishte lufta më mirë se kushdo. Dhe bëri gjithçka për me më ndal. Atëherë më dukej sikur po më pengonte. Sot e di që po më shpëtonte.
I tregova nënës edhe një video ku flet ai. Sapo e pa, ajo reagoi menjëherë, si vetëm një nënë di: “Pse nuk ndejte atje? Nuk kishe qenë plagosur… me nënën.”
Qesha. Por brenda asaj fjale kishte gjithçka – frikë, dashuri dhe lehtësim që sot jam këtu, përballë saj.
Në atë moment, pa e thënë me zë të lartë, e falënderova Babushin. Për durimin. Për forcën. Për atë “cortim” që dikur më dukej i padrejtë.
Sepse ndonjëherë, dashuria nuk të lë me shku aty ku ti don… por të mban aty ku duhet.
Qëndruam edhe pak në heshtje.
Dielli vazhdonte me i ra fytyrës së nënës. Unë e shikoja dhe mendoja sa shumë ka mbajtur ajo brenda gjatë asaj kohe.
Nuk ishte si çdo ditë.
Ishte një moment i vogël, por me peshë të madhe — ku një djalë që dikur kërkonte luftën, sot rrinte në paqe… duke e ndarë historinë me nënën e vet.

