
Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Rina Ajdari, ka shprehur mbështetje të fuqishme për protestën e paralajmëruar të studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut.
Përmes një reagimi publik, Ajdari theksoi se historikisht ndryshimet më të mëdha kanë nisur nga studentët, duke i cilësuar ata si “sistemi në formim” dhe faktor kyç në sjelljen e transformimeve shoqërore. Ajo u shpreh e bindur se edhe në këtë rast, zëri i tyre do të ketë ndikim, ndërsa epilogu do të bëjë dallimin.
Deputetja bëri thirrje për mbështetje të gjerë ndaj studentëve, duke theksuar se ata po protestojnë për një të drejtë themelore të garantuar me ligj dhe Kushtetutë. Sipas saj, kjo është një kauzë që kërkon përkrahjen e të gjithëve – prindërve, profesorëve dhe politikëbërësve.
Ajdari nënvizoi se kërkesa e studentëve është e qartë: të kenë të drejtën të flasin dhe të veprojnë në gjuhën shqipe, si gjuhë amtare. Ajo e cilësoi gjuhën shqipe si thelb të identitetit kombëtar, duke shtuar se ajo përfaqëson historinë, përkatësinë dhe vlerat e shqiptarëve ndër shekuj.
Në fund, deputetja e BDI-së theksoi se mbështetja për studentët është detyrim moral dhe shoqëror, duke bërë thirrje për solidaritet dhe angazhim në mbrojtje të të drejtave të tyre.
Ja postimi plotë:
Përgjatë historisë, revolucionet dhe ndryshimet më të mëdha kanë filluar nga studentët sepse ata janë vetë sistemi në formim. Edhe tek ne do të ndodhë e njejta, epilogu do të bëjë diferencën!
Studentët nesër do të protestojnë për një të drejtë themelore të tyre të përcaktuar qartë në ligj dhe në Kushtetutë prandaj duhet të gjithë t’i përkrahim, pa përjashtim. Ata kanë nevojë për ne! Të veprojmë sot si prind të përgjegjshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë; si profesor, t’i udhëheqim drejt guximit për të sfiduar padrejtësitë; ndërsa si politikan e kemi detyrim për të krijuar politika që i dëgjojnë dhe i përfaqësojnë.
E kërkesa është e thjeshtë: të flasin e të veprojnë shqip, në gjuhën e tyre amtare. Kauzë më të madhështore e më të shenjtë se kjo, nuk besoj se ka. Gjuhën shqipe e kemi identitet, përkatësi, kujtesë, vlerë, e histori mijëravjeçare. Pa të, vetë qenia jonë nuk do të kishte kuptim.
#Mezërinerinisë
#Mestudentët

