
Shoqata “Malësia” në Kaliforni ka reaguar përmes një deklarate publike në mbështetje të studentëve shqiptarë që po protestojnë në Maqedonia e Veriut.
Në reagimin e saj, shoqata thekson se protesta e studentëve është e drejtë dhe dinjitoze, duke vlerësuar guximin dhe vetëdijen e tyre për të kërkuar respektimin e gjuhës shqipe dhe të identitetit kombëtar. Sipas deklaratës, këto kërkesa janë legjitime dhe të garantuara si me ligj, ashtu edhe me parimet themelore të të drejtave të njeriut.
Shoqata “Malësia” nënvizon se gjuha shqipe përbën një nga shtyllat kryesore të identitetit kombëtar dhe çdo përpjekje për ta anashkaluar apo zbehur atë është e papranueshme. Studentët, sipas tyre, përfaqësojnë një brez që nuk pranon padrejtësinë dhe kërkon trajtim të barabartë në institucionet e vendit.
Në deklaratë thuhet se diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara qëndron fuqishëm në krah të studentëve, duke rikujtuar se të drejtat fitohen përmes përkushtimit dhe qëndresës.
Njëkohësisht, shoqata u bën thirrje institucioneve të Maqedonia e Veriut që të reflektojnë dhe të zbatojnë plotësisht të drejtat gjuhësore dhe kushtetuese të shqiptarëve, duke paralajmëruar se çdo neglizhencë vetëm sa dëmton besimin e qytetarëve në institucione.
Në fund, Shoqata “Malësia” thekson se do të vazhdojë të mbështesë çdo përpjekje për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë dhe veprojnë.
Ja deklarata e plotë:
Deklaratë e Shoqata “Malësia” Kaliforni në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut
Shoqata “Malësia” në Kaliforni ngre zërin fuqishëm në mbështetje të protestës së drejtë dhe dinjitoze të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Këta të rinj, me guxim dhe vetëdije të lartë kombëtare, po kërkojnë asgjë më shumë sesa atë që u takon me ligj dhe me të drejtë natyrore – respektimin e gjuhës shqipe dhe të identitetit të tyre.
Gjuha shqipe nuk është vetëm mjet komunikimi – ajo është shpirti i kombit, trashëgimia jonë më e shenjtë dhe themeli mbi të cilin qëndron identiteti ynë ndër shekuj. Çdo përpjekje për ta anashkaluar apo për ta zbehur atë është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet më themelore të barazisë dhe të drejtave njerëzore.
Studentët shqiptarë sot janë zëri i së vërtetës dhe i drejtësisë. Ata përfaqësojnë një brez që nuk pranon padrejtësinë, që nuk hesht përballë diskriminimit dhe që kërkon me vendosmëri trajtim të barabartë në çdo institucion. Kjo protestë nuk është vetëm një kërkesë – është një thirrje e fuqishme për dinjitet, barazi dhe respekt.
Ne, si pjesë e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, qëndrojmë krenarisht përkrah tyre. Historia na ka mësuar se të drejtat nuk dhurohen, por fitohen me përkushtim, unitet dhe qëndresë. Prandaj, mbështetja jonë për studentët është e plotë dhe e pakushtëzuar.
I bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të reflektojnë dhe të veprojnë në përputhje me ligjin dhe standardet demokratike, duke garantuar zbatimin e plotë të gjuhës shqipe dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve. Çdo vonesë apo neglizhencë vetëm sa thellon padrejtësinë dhe dëmton besimin në institucione.
Sot është koha për drejtësi. Sot është koha për barazi. Sot është koha që zëri i studentëve të dëgjohet dhe të respektohet.
Shoqata “Malësia” do të vazhdojë të jetë në krah të çdo përpjekjeje për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë dhe veprojnë.

