AKTUALE

Arbër Ademi: Qëndrimet kontradiktore për Ligjin e Gjuhëve tregojnë mungesë serioziteti

Banner

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimi Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të përfaqësuesve të qeverisë lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, duke i cilësuar ato si kontradiktore dhe joserioze.

Sipas tij, brenda një periudhe shumë të shkurtër janë dhënë qëndrime të ndryshme për të njëjtën çështje, duke krijuar paqartësi te qytetarët.

“Dje thuhet se gjuha shqipe është zyrtare, sot cilësohet si zgjidhje gjysmake, ndërsa deklarata të tjera shkojnë deri aty sa të pretendohet se nuk ka ligj fare. Këto kundërthënie tregojnë mungesë serioziteti dhe qëndrueshmërie,” ka deklaruar Ademi.

Ai theksoi se Ligji për Gjuhët buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe nuk përfaqëson më shumë të drejta sesa ato që u takojnë shqiptarëve sipas kësaj marrëveshjeje.

Ademi shtoi se problemi nuk qëndron te ekzistenca e ligjit, por te zbatimi i tij në praktikë dhe mungesa e vullnetit për ta mbrojtur atë, duke përmendur edhe iniciativat për ta sfiduar në Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut.

Ja postimi plotë:

Dje Bilalli, sot Izet Mexhiti paska reaguar. Dje thoshin se gjuha shqipe është zyrtare, sot thonë se është zgjidhje gjysmake. Bilalli thotë se s’ka ligj fare dhe asgjë s’është bërë. Ndërkohë padronët e tyre thonë të kundërtën: se me Ligjin për Gjuhët shqiptarët paskan fituar më shumë të drejta se që u takojnë. Këta pretendojnë të jenë bashkëkryetarë, por sopata nuk u pret në një vend. As nuk u ka prerë ndonjëherë.

Paramendojeni sa joserioz janë: atë që e deklarojnë dje, e demantojnë sot vetë. Të nesërmen ku ta dijmë se çfarë do të thonë. Si t’u thonë, ashtu deklarohen. Sot kemi tre përfaqësues të qeverisë me tre qëndrime të ndryshme për të njëjtën çështje. E vërteta është ndryshe: me Ligjin për Gjuhët shqiptarët nuk kanë fituar më shumë se që meritojnë, por aq sa e parasheh Marrëveshja Paqësore e Ohrit. Ndërkohë, padronët e VLEN-it kërkojnë shfuqizimin e ligjit dhe kanë dërguar madje iniciativë në Kushtetuese për ta rrëzuar atë ligj.

Problemi nuk është se nuk ka ligj, por se këta nuk kanë takat t’i mbrojnë të arriturat. Ligji ekziston, por ata nuk mund të sigurojnë zbatimin, madje nuk mund të ndalin as tentimin për shfuqizim. Thjesht, nuk i pyet askush, prandaj i ndërrojnë qëndrimet çdo ditë. Mos qofshim në lëkurën e tyre, në zor të madh janë.

P.S. Në foto e keni postimin në kohën kur u miratua ligji. Atëherë ligji ekzistonte dhe ishte shumë i mirë!

Banner

Related posts

Mickoski për Fatmir Limanin: Në maj-qershor kemi rikonstruim qeverie!

Gjyla Halili

Tetovarët i përgjigjen pozitivisht BDI-së! Ahmeti: Pa shqiptarët s’ka Maqedoni

Gjyla Halili

VATRA PROMOVOI VEPRËN E SHKRIMTARIT YLLJET ALIÇKA

Gjyla Halili