
Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka shkruar një mesazh vlerësimi dhe mbështetjeje për organizimin e Simpoziumit Ndërkombëtar Shkencor “Masakra e Tivarit 1945 – e vërteta e fshehur”.
Në mesazhin e tij, Camaj ka falënderuar organizatorët për angazhimin në trajtimin e një prej ngjarjeve më të ndjeshme të historisë kombëtare, duke theksuar rëndësinë e ndriçimit të së vërtetës dhe nderimit të viktimave.
Ai ka shprehur keqardhjen për mungesën në këtë aktivitet, për shkak të angazhimeve të mëhershme, por ka siguruar se përkrahja e tij për këtë kauzë nuk do të mungojë, si në nivel personal ashtu edhe institucional.
Camaj ka bërë të ditur se edhe në kuadër të Parlamentit të Malit të Zi pritet ndërmarrja e një akti të veçantë për trajtimin e kësaj ngjarjeje historike, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt vlerësimit të drejtë të së kaluarës.
Në fund të mesazhit, ai ka uruar suksese në organizimin e simpoziumit, duke theksuar se ngjarje të tilla nuk duhet të mbeten më në heshtje dhe se trajtimi i tyre është thelbësor për kujtesën historike dhe ndërgjegjen kolektive.
Ja postimi plotë:
Me një ndjenjë respekti dhe mirënjohjeje, falënderoj organizatorët (Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Këshillin Boshnjak në Mal të Zi, Institutin e Studimeve Historike “Lumo Skendo” nga Tirana, Institutin për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Maqedonisë së Veriut, si dhe Këshillin Koordinues të shoqatave të familjeve të personave të zhdukur nga Kosova), për organizimin e Simpoziumit Ndërkombëtar Shkencor “Masakra e Tivarit 1945 – e vërteta e fshehur”, por gjithsesi dua të shpreh edhe falenderimin e veçantë për ftesën që më kanë bërë.
Në të njëjtën kohë dua të ndaj me ju keqardhje që për shkak të angazhimeve të mëhershme dhe rrethanave subjektive, nuk do të jem i pranishëm në këtë aktivitet tejet të rëndësishëm.
Tema që trajtohet mbetet e ndjeshme dhe me rëndësi të veçantë për kujtesën historike dhe ndërgjegjen tonë kolektive. Përpjekjet për të ndriçuar të vërtetën dhe për të nderuar viktimat janë thelbësore dhe meritojnë mbështetje të vazhdueshme.
Edhe pse nuk do të jam fizikisht i pranishëm, dua të theksoj se përkrahja ime nuk do të mungojë, jo vetëm për këtë aktivitet, por edhe në raport me këtë ngjarje historike në përgjithësi, duke u angazhuar dhe në mënyrë institucionale, në cilësinë e përfaqësuesit shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi.
Mu në Parlamentin e Malit të Zi, presim që përmes një akti të veçantë, të paralajmëruar, kjo ngjarje të përfshihet dhe të trajtohet në mënyrën e duhur.
Duke ju dëshiruar suksese në organizimin dhe zhvillimin e Simpoziumit, ju garantoj se kjo ngjarje antishqiptare nuk do të heshtet më.

