AKTUALE

Luan Veliu: Ahmeti dhe Limani bartin amanetin e dëshmorëve

Banner

Luan Veliu ka reaguar publikisht për herë të parë lidhur me fotografinë e fundit ku shfaqen bashkë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe politikani Fatmir Limani, gjatë një iftari të organizuar nga udhëheqësia e shtetit shqiptar.

Në një reagim të gjatë publik, Veliu thekson se edhe pse dy figurat politike kanë pasur përplasje në skenën politike, ato kanë një histori të përbashkët veprimtarie kombëtare dhe lidhje të hershme familjare e shoqërore.

Sipas tij, shumë nga reagimet dhe akuzat e bëra në vitet e fundit ndaj figurave të caktuara politike kanë ardhur nga profile të rreme në rrjete sociale ose nga persona që, siç shprehet ai, “historia i njeh si udbashë”.

Veliu kujton se familjet e përfshira kanë qenë së bashku në periudha të vështira të organizimit ilegal, në burgje dhe në luftërat shqiptare, duke theksuar se organizimi shpesh ka nisur nga vetë bërthama familjare.

Ai përmend edhe ngjarje historike si mbledhja e vitit 1993 në Kollare, ku sipas tij u morën vendime të rëndësishme për veprimtarinë kombëtare, si dhe sulmin ndaj Kullës së Beqir Limanit.

Në reagimin e tij, Veliu thekson se, pavarësisht dallimeve politike, qëllimi përfundimtar kombëtar mbetet i përbashkët për këto familje, të cilat, sipas tij, bartin amanetin e veprimtarëve dhe dëshmorëve të çështjes shqiptare.

Reagimi i tij vjen pasi fotografia e përbashkët e Ahmetit dhe Limanit në iftar në Shqipëri ka nxitur diskutime dhe reagime të shumta në opinionin publik.

Ja postimi i plotë:

Në vend të opinionit
Ali Ahmeti bashke me Fatmir Limani!

Edhe pse nuk na lidh gjaku, neve, na bashkoi veprimtaria kombëtare. Si banorë të fshatrave Sërmnovë, Kollare e Zajaz, me kufijtë te mali i Bukoiçit, shpesh ndaleshim në udhëkryqe, duke ndërruar mes nesh edhe kutitë e duhanit, vetëm për të këmbyer dy-tre fjalë për detyrat dhe obligimet në rrugën që e kishim zgjedhur me dëshirën tonë, një rrugë betimi.

Kjo është hera e parë që prononcohem publikisht. Duke qenë mirë i informuar për veprimtarinë e palëve, gjë që mund ta argumentoj, e ksaj radhe nuk munda të qëndroj indiferent ndaj fotografisë së fundit ku palët e “konfliktuara” në politikë shfaqen bashkë në një iftar, të organizuar nga udhëheqësia e shtetit shqiptar, një ftesë që rrallë pranohet, por edhe më rrallë refuzohet.

Në tre vitet e fundit kam kaluar një sprovë të rëndë personale, të cilën e rëndonin edhe më shumë fjalët fyese, epitetet e ndryshme, madje deri te akuzat absurde se disa janë “njerëz të Beogradit e të Moskës”. Këto thuheshin për njerëz dhe figura që i njoh mirë në shpirt, në zemër, në familje dhe në konak.

Kam heshtur, edhe pse i revoltuar. Jam marrë me veten time dhe më qetësonte vetëm fakti se nga vinin ato sharje:
Nga të panjohur, nga profile të rreme me fotografi e emra fallco dhe nga ata që historia i njeh si udbashë, të cilët gjithmonë kanë qenë në anën e kundërt tonën, duke luajtur në vallen e armikut për të goditur e asgjësuar veprimtarët shqiptarë.

Kështu dëshmojnë edhe dosjet e kohës, që sot ndodhen në arkivat tona, ku shumë prej tyre figurojnë me pseudonime të caktuara nga UDB-ja jugosllave.

Së fundi u publikua fotografia, bashkë në sofrën e udhëheqësve të shtetit shqiptar. Dhe menjëherë u krijua zhurmë, sikur u “zbulua uji i ngrohtë”.

Por të gjithë e dimë se bëhet fjalë për dy familje të një gjaku, për veprimtarë që kanë qenë së bashku dhe të pandarë, në ilegalitet, në burgje dhe në luftërat shqiptare për trojet e veta. Janë familje të mëdha të kombit, ku organizimi ka nisur nga vetë bërthama familjare.
Aty celulat e para organizative kanë qenë:
Nënë – Babë – Djalë;
Dajë – Nip – Vëlla;
Motër – Vëlla – Vëlla;
Burrë – Grua – Nip…
Ku qëndron këtu dyshimi për tradhti apo interes?
Po mbledhja e Kollares në vitin 1993, ku u morën vendime të rëndësishme
* kush e siguroi atë dhe kush përgatiti planin për rrezikshmëri eventuale?

*Pse u sulmua me granata ushtarako-policore Kulla e Beqir Limanit, ku heroikisht ra ?

*Pse në oborrin e asaj kulle, në granit, në hartën e Shqipërisë, janë shënuar emrat e atyre që kaluan aty, u pritën, u furnizuan, shuan etjen me një gotë ujë dhe morën detyrat që më pas u realizuan pa u tradhtuar kurrë?

Përfundimisht, ata janë dhe mbeten nipërit e Fazli Veliut-Daja
dhe bartin amanetin e dëshmorëve, edhe kur mund të kenë qëndrime të ndryshme politike, sepse synimi përfundimtar mbetet pika e përbashkët kombëtare.
E neve, personalisht mua më Gëzon, shëron dhe motivon, edhe në këta vite..

Luan Veliu
Gostivar, 13.03.2026

Banner

Related posts

Gjykata e Apelit vendosi: Qani Nesimi fiton ndaj Shaqir Fetahut

Gjyla Halili

VLEN: Mbi 76 milion euro për kazino në mandatin e Grubit

Gjyla Halili

Bexheti mirpritet nga famja Kasami në Çajlanë

Gjyla Halili