AKTUALE

5 Marsi dita e finalizimit të VLEN-it?

Banner

Procesi i shkrirjes së VLEN-it në një subjekt të vetëm politik ka kaluar tashmë nga faza e diskutimeve të përditshme në një realitet që mund të jetë çështje ditësh. Çdo parti përbërëse ka ndërmarrë hapa konkretë, Alternativa me dorëheqjen e Zeqirija Ibrahimit, Lëvizja Besa me shkarkimin e organeve partiake, ASH-ja e Arben Fetait me veprime të ngjashme, dhe së fundi LD-ja e Mexhitit duke ndjekur të njëjtën logjikë. Ky zinxhir vendimesh nuk është thjesht simbolik, por një akt i qartë i hapjes së rrugës drejt shkrirjes së VLEN-it në një strukturë të vetme. Çfarë do të ndodhë më 5 mars? shkruan Zhurnal.

Takimi i radhës në Prishtinë mund të jetë vendimtarë –

Veprimet e liderëve tregojnë se ka një konsensus të heshtur për të mos e lënë procesin në gjysmë. Shkrirja e organeve partiake është një akt i pakthyeshëm që i detyron subjektet të ecin drejt një bashkimi formal.

Nga ana tjetër, takimet me Albin Kurtin, si “arkitekt” i koalicionit, e vendosin VLEN-in në një hartë më të gjerë rajonale. Megjithatë, vizita e 17 shkurtit në Prishtinë nuk solli një zgjidhje konkrete, duke lënë hapësirë për dilema mbi rolin e Kurtit si katalizator apo vetëm këshillues.

5 Marsi si moment simbolik –

Data 5 mars nuk është thjesht një datë kalendarike e zakonshme. Ajo përkon me përkujtimin e Epopesë së UÇK-së, një ngjarje me ngjyra historike dhe emocionale. Nëse liderët e VLEN-it zgjedhin pikërisht këtë ditë për të zyrtarizuar shkrirjen, mesazhi politik do të jetë i dyfishtë.

Një sinjal i unitetit dhe i kapërcimit të fragmentimit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu edhe një mesazh i koordinimit me Prishtinën, duke e lidhur legjitimitetin e subjektit të ri me narrativën e rezistencës dhe të bashkëpunimit kombëtar.

Me këtë bashkim VLEN shndërrohet në një projekt të qëndrueshëm dhe jo thjesht një manovër pragmatike për zgjedhje.

Por, ajo që mbetet si dilemë është se a do të arrijnë liderët të ruajnë balancën e brendshme të pushtetit brenda subjektit të ri? Çfarë roli do të ketë Albin Kurti në këtë proces mbështetës apo garantues?

Nëse më 5 mars ndodh takimi formal mes liderëve të VLEN-it dhe kryeministrit Kurti, atëherë kjo datë mund të hyjë në kalendarin politik si dita kur një koalicion i përkohshëm u shndërrua në një subjekt të vetëm. Por, përtej simbolikës, sfida e vërtetë fillon pas zyrtarizimit. Si do të funksionojë ky subjekt i ri në terrenin politik të Maqedonisë së Veriut dhe sa do të arrijë të ruajë kohezionin e brendshëm përballë presioneve të jashtme. /Zhurnal.mk

Banner

Related posts

Shaqir Fetahu: Kështu na do Zoti

Gjyla Halili

Mark Gjonaj: Përgjegjësi për gjenocidin serb në Kosovë, drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar

Gjyla Halili

Liderët e VLEN-it, takim koordinues në Kuvend – do ta takojnë edhe Mickoskin!

Gjyla Halili