Sot, më 30 janar 2026, nën udhëheqjen e Reisul Ulemasë, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili, drejtori i Medresesë “Isa Beu” Dr. Islam ef. Islami, kryetari i Kuvendit të BFI-së, si dhe drejtorët e Rijasetit në krye me shefin e kabinetit Dr. Abdulkerim ef. Iseni, profesorë, hafizë, imamë dhe xhematlinj të shumtë nga Shkupi dhe më gjerë, në Xhamia e Mustafa Pashës u mbajt ceremonia solemne e promovimit të hafizit të ri të Shkupit, hfz. Adem Sedat Muça.
Ne fillim, Myftiu i Shkupit mbajti fjalën përshëndetëse, ku pasi përshëndeti të pranishmit, foli për gëzimin e madh që përjeton Shkupi me shtimin e një hafizi të ri të Kur’anit.
Ndërsa në fjalën e tij të rastit, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, foli gjerësisht për vlerën e hifzit dhe pozitën e veçantë që zënë hafizët në Islam. Ai u ndal edhe te roli i pazëvendësueshëm i familjes në krijimin e një ambienti fetar, edukativ dhe mbështetës, pa të cilin është e vështirë të formohet një hafiz i Kur’anit. Po ashtu, theksoi vlerën e madhe të muhafizit, i cili me dijen e tij, përvojën, si dhe metodat pedagogjike e psikologjike, ka ditur ta mbajë hafizin të motivuar, të qëndrueshëm dhe të përkushtuar në rrugën e hifzit deri në përfundim. Reisul Ulema shtoi se hafizi i ri iu bashkua hallkës së ndritur të hafizëve, zinxhiri i së cilës përfundon te hafizi i parë, Muhamedi a.s., duke dëshmuar se edhe pse jetojmë shekuj larg kohës së tij dhe gjeografikisht larg Mekës dhe Medinës, edhe këtu e mësojmë Kur’anin, e jetojmë Islamin dhe e transmetojmë atë brez pas brezi.
Hafizi i ri, hfz. Adem Sedat Muça, mësimet e hifzit i ka ndjekur në Institutin e Hifzit “Hafiz Ismail Efendiu”, nën udhëheqjen e mualimit hfz. Xhemail ef. Nuhiju, përgjegjës i institutit.
Duanë e hifzit dhe hutben e xhumasë i mbajti drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam ef. Islami.
Ai u lut që Allahu ta ruajë dhe t’i japë shëndet hafizit dhe muhafizit të tij, ndërsa familjes së tij, veçanërisht familjes së H. Shefki Muçës, t’u dhurojë të mira në të dy botët për mundin dhe sakrificën në këtë rrugë të begatë të Kur’anit.