AKTUALE

Një opozitë e dobët nuk është e mirë as për shtetin e as për pushtetin!

Fitorja tepër e fuqishme e VMRO DPMNE-së në zgjedhjet e fundit parlamentare, si dhe rritja e kësaj fitoreje në zgjedhjet e fundit lokale ka shkaktuar trazira të shumta në partitë opozitare. Është e qartë se humbësit kanë arsye për të “qarë” dhe për të analizuar pse ka ardhur kjo humbje, por kjo nuk duhet të nënkupton se duhet të shkojnë këta parti drejt shkatërrimit total, shkruan “Zhurnal.mk”.

Në kampin politik maqedonas, përgjegjësi më e madhe u kërkua nga kreu i LSDM-së Venko Filipçe.

Akuzat ndaj tij ishin të shumta, sidomos se është krahu më i afërt i ish-kryeministrit Zoran Zaev dhe se ata janë shkaktarët kryesor të kësaj humbje të LSDM-së. Megjithatë, Filipçe sërish u zgjodh kryetar partie. Kjo nuk e qetësoi partinë, por aktualisht e ka ndezur edhe më shumë zjarrin. Eksponentë të ndryshëm të njohur të LSDM-së, mes tyre edhe grupacione të lidhura me ish-kryeministrin Crvenkovski, kërkojnë shkarkimin e Filipçes dhe zgjedhje “të drejta dhe korrekte” për kreun e LSDM-së. Sipas tyre, dikush që i ka humbur zgjedhjet nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në kreun e partisë dhe duhet të japë llogari për këto humbje.

Goditjen më të madhe në zgjedhjet parlamenatre LSDM-së ia dha “Lëvizja ZNAM”, e cila e shkëputi krahun më të madh të kësaj partie, të njohur si “krahu i Kumanovës” të cilët tradicionalisht kanë qenë një ndër bastionet e kësaj partie.

Megjithatë, në zgjedhjet lokale, “ZNAM” nuk doli edhe aq shumë mirë sa që pritej, sepse shumë ish-votues të LSDM-së ishin të revoltuar pse kjo parti bëri koalicion me VMRO DPMNE-në. Prandaj, edhe brenda kësaj lëvizje ka përçarje të thella dhe paralajmërimet janë se po përgatiten të formohen parti të reja, të cilat do të jenë në shërbim të përkohshëm të partive në pushtet.

Së fundmi, brenda opozitës maqedonase po vlon nga akuza dhe kundërakuza, se kush është patrioti i vërtetë, kush është tradhtari, kush janë personat që përfituan, e kush janë personat që duhet të largohen.

Ngjashëm thuajse është edhe në kampin politik shqiptar. “Fronti Europian”, i cili ishte i udhëhequr nga BDI-ja, thuajse u shkatërrua tërësisht. Menduh Thaçi, që dikur i thurrte elozhe Ali Ahmetit sa ishte pjesë e Frontit Evropian, vazhdon ta fyejë e të akuzojë rëndë kreun e integristëve, bile shkon aq largë sa bën akuza edhe për vitin 2001.

Zijadin Sela, që ishte pjesë e këtij Fronti, publikoi se nuk mund të qëndrojë në këtë grupacion dhe do të veprojë kokë më vete. Nga kjo parti së fundmi u largua edhe Ilir Demiri, i cili tha se funksionon si i pavarur në parlament, ndërsa këtë e dëshmoi kur voti ligjin për “Safe City”. Njëjtë ka filluar të veprojë edhe deputeti i partisë turke Bejxhan Iljaz, i cili ishte pjesë e Frontit. Të vetmtit që mbetën në fund pjesë e “Frontit Evropian” ishin Ahmeti e Taravari, por pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, ku fituan dy kryetarë të partisë së Taravarit në Gostivar dhe Vrapçisht, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari tha se “nuk kanë asgjë të përbashkët me BDI-në”. Kjo fjali menjëherë ngjalli dyshimet se këtij koalicioni i ka ardhur fundi, dhe shqiptarët sërish u përçanë secili në kokë më vete, shkruan “Zhurnal.mk”.

Nëse analizohet kjo pasqyrë e gjendjes aktuale politike në opozitë, qoftë maqedonase qoftë ajo shqiptare, gjithçka mund të përshkruhet si “mjerim”.

Por, gjithë kësaj “gjurlldie” në politikën e Maqedonisë së Veriut, sigurisht po i ndihmon nga pak edhe partia në pushtet VMRO DPMNE dhe koalicioni VLEN.

Në kontekstin politik është legjitime që kundërshtari duhet të luftohet gjithmonë, por në demokraci një gjë është e sigurtë: “ku nuk ka konkurrencë, nuk ka kualitet”. Andaj edhe dobësimi i tepërt i partive opozitare është i dëmshëm për një zhvillim normal demokratik të vendit. Me këtë, ngadalë krijohet atmosfera, e cila shoqërinë e dërgon drejt një autokracie, ku nuk dëgjohet asnjë zë kundër.

Fatkeqësisht, Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm në rajon që nuk ka një zë të fuqishëm kundër pushtetit. Kjo ndodh pikërisht për këtë që u tha më lart, sepse teoria e suksesit është “përça e sundo”. Kjo në shikim të parë duket e bukur dhe e lezetshme për pushtetin, por në vetvete krijon politikë të jo-konkurrencës, politikë të jo-rrezistencës dhe politikë të heshtjes.

Për pasojë, në raste të tilla fillon të lulëzojë korrupsioni dhe asksuh nuk mund ta denoncojë, fillon mos përfillja ndaj halleve të qytetarëve dhe dështimi në projektet progresive. E gjitha në fund e mbush kupën dhe ia bën “gropën vetvetes”.

I takon vetë opozitës të konsolidohet dhe të marrë veten, por i takon edhe vetë shtetit që mos të lejojë shkatërrimin e plotë të opozitës. Prandaj, një opozitë e dobët dhe e dërmuar, nuk është e mirë as për pushtetin, e as për shtetin, shkruan “Zhurnal.mk”.

Related posts

NJË VEPËR E PASHOQË  NDODHI NË “SHESHIN SKËNDERBEJ” NË TIRANË

Gjyla Halili

Siljanovska: Qeveria nuk po punon për qytetarët

Gjyla Halili

Në Çair u promovua klubi i çiklizmit “Arbër Shaqiri”

admin