BDI, Dega Dibër, ka reaguar lidhur me informacionet që po qarkullojnë në opinion për disa propozim-ndryshime në Ministrinë e Punëve të Brendshme, sipas të cilave Njësia për Punë të Brendshme në Dibër rrezikon të humbasë një pjesë të rëndësishme të kompetencave dhe vendimmarrjes.
Sipas këtyre propozimeve, Njësia për Punë të Brendshme – Dibër do të ulej në njësi të kategorisë së dytë, me ç’rast do të hiqeshin funksione kyçe si kryeshefi i policisë, kryeshefi i njësisë antikrim, zëvendëskomandanti dhe komandanti i pikës kufitare, ndërsa vendimmarrja do të kalonte nën juridiksionin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër.
Nga BDI – Dega Dibër theksojnë se çdo ndryshim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në sigurinë e qytetarëve dhe në funksionimin institucional të qytetit, duke nënvizuar se Dibra është një rajon kufitar dhe strategjik që ka nevojë për struktura të plota dhe funksionale të sigurisë.
“Nëse bëhet fjalë vetëm për propozime, qytetarët duhet të informohen qartë dhe me transparencë të plotë. Paqartësia krijon pasiguri dhe dëmton besimin në institucione”, thuhet në reagim.
BDI – Dega Dibër kërkon transparencë të plotë, analizë profesionale dhe konsultim me përfaqësuesit lokalë përpara çdo vendimi që prek drejtpërdrejt sigurinë dhe interesin publik të qytetarëve të Dibrës.
Nga kjo degë e BDI-së theksojnë se Dibra nuk duhet të trajtohet si qytet i dorës së dytë dhe se qytetarët e saj meritojnë siguri dhe trajtim të barabartë.
Ja postimi plotë:
Dibra nuk mund të trajtohet si qytet i dorës së dytë.
Dje në opinion është hapur çështja e disa propozim-ndryshimeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, sipas të cilave Njësia për Punë të Brendshme në Dibër mund të humbasë një pjesë të kompetencave dhe vendimmarrjes, duke u varur nga struktura jashtë qytetit. Kjo në praktikë do të thotë më pak autoritet dhe më pak vendimmarrje lokale për çështje që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e qytetarëve.
Këto propozime parashohin uljen e Njësisë për Punë të Brendshme-Dibër në njësi të kategorisë
së dytë, me ç’rast do të humben funksionet kyçe si: kryeshef i policisë, kryeshef i njësisë antikrim, zëvendëskomandant, dhe komandant i pikës kufitare, ndërsa vendimmarrja do të kalon nën juridiksionin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër.
Çdo ndryshim që prek funksionimin e policisë në Dibër prek drejtpërdrejt sigurinë e qytetarëve,
shërbimet ndaj tyre dhe dinjitetin institucional të qytetit tonë. Për një rajon kufitar dhe strategjik
si Dibra, prania e plotë dhe funksionale e strukturave të sigurisë është domosdoshmëri.
Nëse bëhet fjalë vetëm për propozim, atëherë qytetarët kanë të drejtë të informohen qartë dhe
me transparencë të plotë për çdo ndryshim të mundshëm. Paqartësia krijon pasiguri dhe
dëmton besimin e qytetarëve në institucione.
BDI – Dega Dibër kërkon transparencë të plotë, analizë profesionale dhe konsultim me përfaqësuesit lokalë përpara çdo vendimi që prek drejtpërdrejt sigurinë dhe interesin publik të
qytetarëve të Dibrës.
Dibra meriton siguri dhe trajtim të barabartë.