Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit I.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, më 16 korrik 2025, rreth orës 19:17 min, në Pikën Kufitare në Vërmicë, i pandehuri I.K., në cilësinë e personit zyrtar, si zyrtar i Doganës së Kosovës, ka tejkaluar kompetencat e tij duke shkelur procedurat standarde të operimit të Doganës së Kosovës.
“I njëjti, duke mos zbatuar detyrimet ligjore për kontroll të automjeteve, personave dhe mallrave, ka lejuar kalimin pa kontroll të një automjeti komercial të tipit ‘Mercedes Sprinter’, të cilin e drejtonte A.K., të cilin e ka regjistruar në sistem si të zbrazët”, thuhet në njoftim.
I njëjti dyshohet se pas kalimit të pikës kufitare, automjeti është ndaluar nga njësia për antikontrabandë dhe gjatë kontrollit është konstatuar se ishte i ngarkuar me mallra komerciale në vlerë prej 11,457.60 euro.
Pas kryerjes së ekspertizës financiare, ka rezultuar se i njëjti, buxhetit të Republikës së Kosovës i ka shkaktuar dëm material në shumë prej 3,414.36 €.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, po ashtu përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik.