Zëvendëskryeministri i Malit të Zi për çështje ekonomike, dhe ministër i ekonomisë, Nik Gjeloshaj, ka bërë një përmbledhje të angazhimit të deritanishëm të Forumit Shqiptar në Qeverinë e 44-të të Malit të Zi, pas mbajtjes së mbledhjes së fundit të rregullt të Qeverisë për këtë vit.
Gjeloshaj theksoi se vendimi për të qenë pjesë e Qeverisë nuk ka qenë i lehtë, por ishte i domosdoshëm dhe sot, sipas tij, rezultatet dëshmojnë se ka qenë një vendim i drejtë. Ai vlerësoi se shqiptarët nuk kanë qenë thjesht pjesë formale e pushtetit, por faktor aktiv në proceset e vendimmarrjes dhe zhvillimit ekonomik.
Sipas zëvendëskryeministrit, gjatë kësaj periudhe janë mbështetur investime të rëndësishme, janë krijuar mekanizma institucionalë për realizimin e projekteve në zonat shqiptare, si dhe është siguruar mbështetje konkrete për bizneset lokale, zhvillimin ekonomik, sportin dhe kulturën shqiptare.
“Klubet sportive, infrastruktura dhe aktivitetet kulturore shqiptare nuk janë më në periferi, por pjesë integrale e politikave publike,” ka deklaruar Gjeloshaj.
Duke folur për politikën e jashtme dhe procesin integrues, Gjeloshaj theksoi se Qeveria ka ruajtur kursin euroatlantik dhe evropian të Malit të Zi. Ai nënvizoi se ministrat e Forumit Shqiptar kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në proceset që kanë çuar në mbylljen e shumicës së kapitujve negociues të realizuar deri më tani.
Një rëndësi të veçantë, sipas tij, ka pasur edhe forcimi i marrëdhënieve me Republikën e Kosovës, përfshirë emërimin e ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë, me propozim të Forumit Shqiptar, si hap i rëndësishëm diplomatik në interes të bashkëpunimit dhe lidhjeve shqiptare.
Në fund, zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj theksoi se shqiptarët kanë qenë dhe mbeten faktor stabiliteti dhe përgjegjësie, por paralajmëroi se parimet nuk janë të negociueshme.
“Pushteti nuk është qëllim, por mjet për mbrojtjen e interesit të shqiptarëve,” u shpreh Gjeloshaj, duke shtuar se përgjegjësia ka qenë zgjedhja e vetme e Forumit Shqiptar.
Ja postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Sot u mbajt mbledhja e fundit e rregullt e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi për këtë vit.
Në prag të përfundimit të vitit, dëshiroj të ndaj me ju një vështrim të shkurtër, pa hyrë në numra, por të argumentuar, për pjesëmarrjen e Forumit Shqiptar në këtë Qeveri deri më sot.
Vendimi për të qenë pjesë e Qeverisë nuk ka qenë i lehtë. Ishte një vendim i vështirë, por i domosdoshëm dhe sot është e qartë se ka qenë i drejtë.
Sot edhe skeptikët mund ta shohin: ka pasur zhvillim real. Janë mbështetur investime të rëndësishme, janë hapur institucione për realizimin e projekteve në zonat shqiptare dhe shqiptarët kanë qenë pjesë aktive e vendimmarrjes, jo dekor politik.
Kemi siguruar mbështetje konkrete për zhvillimin ekonomik dhe për bizneset lokale, si dhe për sportin dhe kulturën shqiptare.
Klubet sportive, infrastruktura dhe aktivitetet kulturore shqiptare nuk janë më në margjinë, por pjesë e politikave publike.
Në politikën e jashtme, kjo Qeveri ka ruajtur kursin euroatlantik dhe evropian të shtetit.
Ministrat e Forumit Shqiptar kanë qenë drejtpërdrejt pjesë e proceseve që kanë çuar në mbylljen e shumicës së kapitujve që kjo Qeveri ka arritur të mbyllë, duke dëshmuar përgjegjësi, rol aktiv dhe kontribut të drejtpërdrejtë në rrugën evropiane të Malit të Zi.�Njëkohësisht, janë forcuar marrëdhëniet me shtetin e Kosovës, përfshirë emërimin e ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë nga kjo Qeveri, me propozim të Forumit Shqiptar, si hap i rëndësishëm diplomatik në interes të bashkëpunimit të përbashkët shqiptar.
Shqiptarët kanë qenë faktor stabiliteti dhe përgjegjësie.
Por po aq qartë: ne jemi gjithmonë me sy hapur. Parimet nuk negociohen.
Jemi të gatshëm t’i mbrojmë ato në çdo moment dhe të largohemi në çastin kur ato cenohen.�Pushteti nuk është qëllim, por mjet për të mbrojtur interesin e shqiptarëve.
Ne nuk zgjodhëm rrugën e lehtë. Zgjodhëm përgjegjësinë.�Dhe rezultatet sot flasin vetë.
Parimet mbi pushtetin.
Nik Gjeloshaj