Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka vlerësuar si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës realizimin e projektit të rikonstruksionit të rrugës rajonale që lidh Krajen me Anën e Malit.
Projekti, me vlerë rreth 18 milionë euro, paraqet një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore për këtë zonë dhe është një nga angazhimet e mbajtura të Forumit Shqiptar.
“Që nga dita e parë kemi insistuar që ky projekt të jetë ndër prioritetet e shtetit. Sot kemi kaluar nga premtimet tek realizimi konkret, duke krijuar kushte më të mira për lidhje rrugore, zhvillim ekonomik dhe një cilësi më të mirë jetese për qytetarët”, ka theksuar Gjeloshaj.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për deputetin e Forumit Shqiptar, Artan Çobi, për angazhimin e vazhdueshëm gjatë gjithë procesit dhe ndjekjen nga afër të këtij projekti në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.
Sipas Gjeloshajt, ky investim është dëshmi e qartë se angazhimi institucional dhe puna e përbashkët mund të sjellin rezultate konkrete për komunitetet lokale.
“Forumi Shqiptar do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi për realizimin e projekteve kapitale që sjellin zhvillim, përmirësojnë infrastrukturën dhe krijojnë mundësi më të mira për qytetarët”, ka përfunduar zëvendëskryeministri Gjeloshaj.
Ja postimi plotë:
Edhe një premtim i dhënë po shndërrohet në vepër.
Rikonstruksioni i rrugës rajonale që lidh Krajen me Anën e Malit, me vlerë rreth 18 milionë euro, është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore për këtë zonë dhe një tjetër premtim i mbajtur i Forumit Shqiptar.
Që nga dita e parë kemi këmbëngulur që ky projekt të jetë ndër prioritetet e shtetit, ndërsa tani ka hyrë në fazën e realizimit.
Mirënjohje të veçantë meriton deputeti ynë Artan Çobi, i cili gjatë gjithë procesit, përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Drejtorinë për Komunikacion dhe si pjesë e shumicës parlamentare, e ka ndjekur nga afër këtë projekt dhe ka insistuar vazhdimisht që të krijohen kushtet për fillimin e realizimit të tij.
Ne do të vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi dhe të angazhohemi për projekte kapitale që sjellin zhvillim, lidhje më të mira rrugore dhe një cilësi më të mirë jetese për qytetarët.
