Në hapjen e fushatës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 11 janar, Valdet Xhaferi, kryesues i Këshillit të Komunës së Gostivarit, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional si themel për zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Çdo projekt i realizuar në Komunën tonë është dëshmi se kur Këshilli Komunal, Administrata dhe Kryetari i Komunës punojnë së bashku, puna ecën përpara dhe qytetarët përfitojnë drejtpërdrejt. Ky bashkëpunim nuk është politikë, por përgjegjësi qytetare”, deklaroi Xhaferi. Ai shtoi se zhvillimi i Gostivarit ka kuptim vetëm kur përfshin të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, feje, moshe apo gjinie.
Takimi u zhvillua në prani të kandidatit të AKI për kryetar komune, Dr. Valbon Limani, si dhe liderëve të koalicionit, Ali Ahmeti dhe Arben Taravari. Xhaferi ftoi qytetarët që më 11 janar të dalin dhe të mbështesin Limanin duke rrethuar numrin 3, duke nënvizuar se vetëm përmes unitetit dhe bashkëpunimit mund të arrihet një jetë më e mirë për të gjithë.
Valdet Xhaferi u zgjodh kryesues i Këshillit të Komunës së Gostivarit pas fitores së AKI në zgjedhjet e 19 tetorit dhe falënderoi qytetarët për mbështetjen e treguar, duke shprehur shpresën për një fitore të re më 11 janar.