Pas dy vitesh angazhim të pandërprerë në shërbim të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë, ka përfunduar mandati i Agron Dedivanajt në krye të shoqatës shqiptaro-amerikane “Jehona e Malësisë”. Kjo periudhë udhëheqjeje u karakterizua nga një veprimtari e gjerë institucionale, kulturore, arsimore dhe humanitare, duke e forcuar rolin e shoqatës si një faktor i rëndësishëm organizues dhe përfaqësues i diasporës shqiptare në Michigan.
Gjatë mandatit dyvjeçar, “Jehona e Malësisë” ka konsoliduar strukturën e saj organizative përmes hapjes së zyrës administrative dhe themelimit të shkollës shqipe për fëmijët e komunitetit, duke i dhënë rëndësi të veçantë ruajtjes së gjuhës dhe identitetit kombëtar tek brezat e rinj. Krahas kësaj, janë organizuar aktivitete të shumta kulturore dhe edukative që kanë ndihmuar në forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe vendlindjes.
Shoqata ka qenë aktive në shënimin e datave më të rëndësishme të historisë shqiptare, përfshirë Festën e Flamurit – 28 Nëntorin, Kryengritjen e Malësisë, Pavarësinë e Kosovës, si dhe manifestime të tjera përkujtimore e familjare. Këto aktivitete janë zhvilluar në qendrat fetare, kulturore dhe institucionale të komunitetit shqiptar, duke siguruar pjesëmarrje të gjerë dhe bashkëpunim ndërshoqëror.
Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së shoqatës gjatë këtij mandati ka qenë e përqendruar në Malësi dhe Tuz. “Jehona e Malësisë” ka kontribuar në hapjen e Qendrës Ditore në Tuz, në rikonstruktimin e pjesshëm dhe më pas të plotë të Gjimnazit të Tuzit, si dhe në ndërtimin e Kullës së Çun Mulës dhe përmendores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Këto projekte janë vlerësuar si investime me rëndësi afatgjatë për zhvillimin arsimor dhe kulturor të zonës.
Në planin e diasporës, shoqata ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet organizatave shqiptare në SHBA, duke nënshkruar paktin e unifikimit të shoqatave nga Nju Jorku, Michigani dhe Kalifornia. Po ashtu, në bashkëpunim me Komunën e Tuzit dhe organizata të tjera, është krijuar Zyra e Sekretariatit të Diasporës, si një mekanizëm lidhës mes mërgatës dhe institucioneve vendore.
Veprimtaria e “Jehonës së Malësisë” është shtrirë edhe në sferën ndërkombëtare dhe institucionale. Gjatë mandatit të Dedivanajt, shoqata ka marrë pjesë në ngritjen e flamurit shqiptar në Southfield (SHBA) dhe Windsor (Kanada), në Lutjet e Mëngjesit në Uashington, si dhe në konferenca dhe samite të ndryshme ndërkombëtare. Janë zhvilluar gjithashtu takime me përfaqësues të institucioneve amerikane dhe personalitete të njohura politike e ushtarake.
Në aspektin kulturor dhe mediatik, shoqata ka mbështetur ribotimin e veprës “Lahuta e Malcis”, promovimin e librit “EPOS” dhe organizimin e ekspozitave kushtuar figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Njëkohësisht, është dhënë mbështetje për funksionimin e televizionit të vetëm shqiptar të pavarur në Mal të Zi, TV Boin, si një zë i rëndësishëm informues për komunitetin shqiptar atje.
Një dimension i veçantë i punës së shoqatës ka qenë angazhimi humanitar. Përgjatë mandatit dyvjeçar janë ofruar ndihma të vazhdueshme për trajtimin e fëmijëve me autizëm dhe është bashkëpunuar me qendra që kujdesen për persona me aftësi të kufizuara, duke reflektuar një qasje të përgjegjshme sociale ndaj nevojave të komunitetit.
Një nga momentet më domethënëse të këtij mandati ka qenë pritja zyrtare e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, si dhe vlerësimet dhe dekorimet e shumta që shoqata ka marrë nga institucione dhe personalitete të ndryshme shqiptare dhe ndërkombëtare.
Në përmbyllje të mandatit, Agron Dedivanaj ka shprehur falënderime për komunitetin shqiptar të Michiganit, organizatat partnere, institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për sponsorët dhe mbështetësit e shumtë, duke theksuar se arritjet e kësaj periudhe janë rezultat i punës së përbashkët. Ai ka shprehur bindjen se shoqata “Jehona e Malësisë” do të vazhdojë misionin e saj me përgjegjësi, vizion dhe përkushtim kombëtar nën udhëheqjen e strukturave të reja drejtuese.
Ja postimi plotë:
Të nderuar bashkëkombas,
Me ndjenjë të thellë përgjegjësie institucionale dhe qytetare, jamë mirënjohës për besimin që më është dhënë për të udhëhequr shoqatën “Jehona e Malësisë” gjatë mandatit të dy viteve të fundit. Ky besim përbën një nder të veçantë, por njëkohësisht edhe një obligim të vazhdueshëm për të vepruar në shërbim të komunitetit tonë dhe të vlerave mbi të cilat kjo shoqatë është ndërtuar.
Shpreh falënderimet e mia më të sinqerta ndaj anëtarëve të Bordit Drejtues për bashkëpunimin, maturinë dhe mbështetjen e tyre të pandërprerë, si dhe ndaj jush, bashkëvendas dhe bashkëkombas të nderuar, për përkrahjen e vazhdueshme në realizimin e misionit tonë. Veprimtaria jonë ka qenë e orientuar drejt shërbimit të komunitetit shqiptar në Michigan, forcimit të lidhjeve me vendlindjen tonë Malësinë, mbështetjes së dy shteteve shqiptare dhe kontributit të përgjegjshëm në çështjet me interes mbarëkombëtar.
Në kuadër të këtij angazhimi, shoqata “Jehona e Malësisë” ka zhvilluar një sërë aktivitetesh me rëndësi kulturore, arsimore, kombëtare, humanitare dhe institucionale. Ndër arritjet kryesore veçojmë hapjen e zyrës administrative të organizatës, hapjen e shkollës në gjuhën shqipe për fëmijët e komunitetit, si dhe organizimin e manifestimeve edukative dhe kulturore për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar.
Shoqata ka organizuar aktivitete tradicionale dhe familjare, përfshirë mbrëmjen tradicionale të vallëzimit “Babë dhe bijë”, si dhe manifestime për Festën e Flamurit – 28 Nëntorin (festën e flamurit për fëmijët), Kryengritjen e Malësisë, Pavarësinë e Kosovës dhe shumë data të tjera historike, duke qenë e pranishme në të gjitha qendrat religjioze dhe institucionale të komunitetit shqiptar dhe më gjërë.
Një kontribut i veçantë është dhënë në vendlindje, ku kemi mbështetur hapjen e qendrës ditore në Tuz, kemi realizuar rikonstruktimin e pjesshëm të Gjimnazit të Tuzit, si dhe kemi kontribuar drejtpërdrejt në rikonstruktimin e plotë të këtij institucioni arsimor. Po ashtu, kemi marrë pjesë dhe ndihmuar në ndërtimin e Kullës së Çun Mulës, si dhe, së bashku me organizata të tjera, në ndërtimin dhe realizimin e përmendores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Tuz.
Së bashku me shoqatën “Kosova”, kemi ngritur flamurin shqiptar në qytetin Southfield, në prani të gjeneralit të UÇK-së z. Esad Çollaku dhe z. Ferid Berisha (Komandant Shkupi) si dhe administratorëve kompetent të këtij qyteti! Gjithashtu, kemi marrë pjesë në ngritjen e flamurit shqiptar në Windsor, Kanada, për nder të Festës së 28 Nëntorit, të proklamuar zyrtarisht nga Kryebashkiaku i Windsor-it, në praninë e përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë nga ambasada shqiptare në Kanada, përfaqësues diplomatik të konsullit kosovarë dhe autoriteteve kanadeze të qarqeve administrative të qytetit të Windsorit si dhe përfsqësues të parlamentit kanadez dhe të tjerë, si mysafirë të organizatës së shqiptarëve të Windsor-it dhe të komunitetit shqiptar atje.
Në drejtim të forcimit të unitetit të diasporës, kemi nënshkruar paktin e unifikimit të shoqatave shqiptare nga Nju Jorku, Michigani dhe Kalifornia, si dhe, së bashku me organizata të tjera dhe me Komunën e Tuzit, kemi krijuar Zyrën e Sekretariatit të Diasporës.
Shoqata ka qenë aktive në fushën kulturore dhe arsimore, duke marrë pjesë në manifestime të shkollave shqiptare në trojet shqiptare, në ekspozita të ndryshme kulturore dhe artistike, përfshirë ekspozitën e skulptores Teuta Nito, si dhe duke mbështetur ribotimin e veprës “Lahuta e Malcis”. Po ashtu, kemi organizuar dhe promovuar librin “EPOS”, dhe kemi bërë ekspozitën e fotove vizuale të po këtij libri, kushtuar figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Njëkohësisht, kemi mbështetur realizimin e godinës së televizionit të vetëm shqiptar të pavarur në Mal të Zi – “Boin”, si dhe kemi dhënë kontribut të vazhdueshëm humanitar, duke financuar muaj pas muaji trajtimin e fëmijëve me autizëm, si dhe duke zhvilluar takime dhe ndihma me qendra të ndryshme që kujdesen për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Në aspektin qytetar dhe politik, kemi mbështetur kandidatë shqiptarë për pozita ekzekutive, kemi ndihmuar kandidatin shqiptar aktual për Kongres, kemi marrë pjesë në vizitën e Kryeministrit shqiptar në Nju Jork, si dhe kemi bojkotuar dhe anuluar takimet në Michigan me Richard Grenell, për shkak të qëndrimeve të tij pro-serbe.
Shoqata ka ndërmarrë iniciativa konkrete duke i drejtuar letër Presidentit Donald J. Trump për njohjen e ndërsjellë Kosovë–Serbi, kemi nënshkruar deklarata kundër krimeve të regjimit të Millosheviqit, kemi reaguar ndaj manifestimeve shoviniste serbe në Malësi, kemi marrë pjesë në qartësimin e atentatit ndaj Presidentit Trump, si dhe kemi pasur nderin të marrim ftesë dhe të marrim pjesë në inaugurimin e Presidentit Donald J. Trump.
Në mënyrë të vazhdueshme, çdo vit, kemi marrë ftesë dhe kemi marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit në Uashington, si dhe kemi marrë pjesë me ftesë në Samitin e Rindërtimit të Ukrainës në Uashington. Gjithashtu, kemi marrë pjesë në konferencën historike kushtuar At Gjergj Fishtës dhe kemi zhvilluar takime dhe sugjerime me organizatën studentore “AASO”.
Gjatë këtij angazhimi, kemi realizuar intervista dhe paraqitje të shumta mediatike në Ora News, TV Klan, Top Channel, Top Shqip, Aromë Shkodre, TV Boin, ACTV, Detroit News, si dhe në shumë media të tjera kombëtare dhe lokale. Po ashtu, kemi zhvilluar takime institucionale me gjeneralin Wesley Clark për gjetjen e mënyrës më të mirë për mbrojtjen e pjestarëve të UÇK-së që ende keqtrajtohen nga gjyqi ndërkombëtar në Hagë, me ambasadorin shqiptar në SHBA z. Ervin Bushati, si dhe me kongresisten Lisa McClain, dhe kemi marrë pjesë në manifestimin e Kryengritjes së Malësisë në Nju Jork, së bashku me historianen Elena Koçaqi.
Një moment i veçantë i këtij mandati ka qenë fakti se kemi qenë nikoqirë në pritjen zyrtare të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla. Për veprimtarinë tonë, shoqata është dekoruar disa herë nga Komandanti Suprem i UÇK-së, z. Ramush Haradinaj, nga znj. Donika Gërvalla, si dhe nga gjenerali Esad Çollaku, dhe është vlerësuar me mirënjohje nga Agjencia Ndërkombëtare e Investigimit, Komuna e Tuzit, organizata të ndryshme dhe personalitete të shumta, përfshirë skulptorin Ardian Pepa.
Përtej aktiviteteve të përmendura, shoqata “Jehona e Malësisë” ka realizuar shumë veprimtari dhe pjesëmarrje të tjera në vende të ndryshme, duke ruajtur gjithmonë një qasje institucionale, gjithëpërfshirëse dhe dinjitoze.
Në përmbyllje, shpreh falënderim të veçantë për komunitetin shqiptar të Michiganit, për të gjitha organizatat shqiptare, institucionet e Komunës së Tuzit, institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe për Senatin, Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë. Një falënderim i veçantë u shkon të gjithë sponsorëve, pa mbështetjen e të cilëve asnjë nga këto aktivitete nuk do të kishte qenë e mundur të realizohej.
Edhe pse sfida mbeten, jam i bindur se shoqata “Jehona e Malësisë” do të vazhdojë të ecë përpara me përgjegjësi, vizion dhe përkushtim kombëtar me përzgjedhjen e kryetarit dhe bordit drejtues të ri!
Me respekt të veçantë,
Agron Dedivanaj
Ish kryetarë I shoqatës “Jehona e Malësisë”.










































