AKTUALE

REISUL ULEMAJA: ARKIVI ËSHTË SHTYLLË E IDENTITETIT DHE VAZHDIMËSISË SË BFI-SË

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema hfz. h. Shaqir ef. Fetai, sot zhvilloi një takim pune me referentët e arkivave të Bashkësisë Fetare Islame, përkatësisht: referentin e Arkivit Qendror të BFI-së, z. Habib Ebibi, referentin e Fakultetit të Shkencave Islame, z. Ardit Sadiku, si dhe referentin e Medresesë “Isa Beu”, z. Xhihad Ismaili.

Gjatë këtij takimi, referentët informuan nga afër Reisul Ulemanë mbi ecurinë e procesit të digjitalizimit, sistemimit dhe evidentimit të materialeve arkivore, duke e vlerësuar këtë proces si një angazhim strategjik me rëndësi të veçantë për ruajtjen institucionale të kujtesës historike të Bashkësisë Fetare Islame.

Në fjalën e tij këshilluese, Reisul Ulema hfz. h. Shaqir ef. Fetai theksoi vlerën e jashtëzakonshme të arkivit si dëshmi e identitetit, vazhdimësisë dhe veprimtarisë historike të BFI-së. Ai nënvizoi se digjitalizimi i arkivave nuk përfaqëson vetëm një domosdoshmëri teknike të kohës moderne, por paraqet një përgjegjësi morale, fetare dhe institucionale ndaj brezave të ardhshëm, duke e cilësuar njohjen dhe mësimin e historisë si themel për ndërtimin e vetëdijes fetare, kulturore dhe kombëtare.

Reisul Ulemaja në këtë takim ishte i shoqëruar nga z. Driton Dikena, Drejtor i Agjencisë për Hallall Standard, i cili njëkohësisht udhëheq procesin e digjitalizimit të Arkivit të BFI-së. Me këtë rast, u theksua rëndësia e koordinimit institucional, standardizimit të procedurave dhe profesionalizmit, me qëllim që trashëgimia dokumentare e Bashkësisë Fetare Islame të ruhet, të mbrohet dhe të bëhet e qasshme në mënyrë të qëndrueshme dhe profesionale për studiuesit dhe opinionin e interesuar.

Ky takim pune u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kulturës arkivore dhe institucionalizimit të kujtesës historike të Bashkësisë Fetare Islame, duke konfirmuar përkushtimin e vazhdueshëm të BFI-së për ruajtjen e trashëgimisë së saj historike dhe shpirtërore.

Related posts

Grubi: Ali Ahmeti e mban fjalën!

Gjyla Halili

Doktori Xhunejd Ademi me zemër të thyer tregon për përjetimet në Koçani

Gjyla Halili

AMRA ABDURAIMI Mbrojti me sukses titullin hafize

Gjyla Halili