Sot e mërkurë, më 10.12 2025, në ambientet e Objektit per Shërbime Fetare dhe Sociale të Myftinisë së Tetovës, u mbajt mbledhja e rregullt nën udhëheqjen e Myftiut, Dr. Selver ef. Xhemaili, me Mexhlisin e xhemateve, të përbërë nga imamët, mualimët, muezinët, mutevelitë dhe arkëtarët e Myftinisë.
Në rend dite ishin dy pika kryesore:
1.Organizimi i zgjedhjeve kolektive të shpallura nga ana e Rijasetit.
2.Të ndryshme.
Gjatë mbledhjes, Myftiu para se të shpall zgjedhjet dhe të jap sqarime rreth procesit zgjedhor për këshillat e xhamive, anëtarët e Myftinisë si dhe për Kuvendin e Rijasetit të BFI-së, ju drejtua të pranishmëve me këto fjalë:
“Të nderuar hoxhallarë, këshilltarë të xhamive të Tetovës, të nderuar vëllezër,
Ju falënderoj sinqerisht që jeni sot këtu. Jemi mbledhur në një moment të rëndësishëm: përmbylljen e mandatit tuaj 4 vjeçar si këshilltarë dhe vlerësimin e punës që keni bërë gjatë kësaj periudhe. Është nder për mua të qëndroj para jush dhe t’ju shpreh mirënjohjen time për angazhimin dhe përkushtimin që keni treguar ndaj organizimit të jetës fetare, ndaj myftinisë, ndaj xhamisë, mektebit, hoxhallarëve dhe besimtarëve në përgjithësi.
Gjatë mandatit tuaj, secili prej jush ka kontribuar në mënyrën e vet—qoftë me kohë, me këshilla, me organizim, apo me përkrahje në çështjet e xhamive dhe të besimtarëve. Këto kontribute nuk maten vetëm me projekte apo vendime, por edhe me qëndrueshmërinë, durimin dhe bashkëpunimin që keni treguar. Ju keni detyrën më të vështirë kërkimin dhe tubimin e mjeteve financiare, ndërsa ne menaxhimin dhe ruajtjen e emanetit. Për këtë arsye, meritoni respekt dhe falënderim.
Sot, përveç falënderimit, dua të ndaj disa porosi të rëndësishme me ju.
E para është porosia e të qenit të vazhdueshëm. Pra, pavarësisht se mandati përfundon, përgjegjësia jonë ndaj çështjes së fesë dhe xhamisë nuk mbaron. Ne jemi pjesë e një trupi të vetëm, ku secili duhet të japë kontribut për organizim të mirëfilltë, rregull dhe mirëkuptim. Ju keni patur mundësi të kontriboni në forma të ndryshme për vepra të hajrit. Por një gjë nuk duhet harruar, vazhdimësia e hajratit nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me sjellje të mira, me komunikim të hapur dhe me respekt të ndërsjellë.
Apo ndryshe thënë ajo që keni ndërtuar për vitet e kaluara ka mundësi të vyshket edhe zhduket nëse përfolet vetëm në veten e parë.
Porosia e dytë është përgjegjësia morale. Roli i këshilltarit në xhami nuk është vetëm formal — është edhe një shembull. Xhemati, të rinjtë e të tjerët shikojnë tek ne si model apo ornek të sjelljes së matur, të drejtësisë dhe të ndershmërisë. Edhe kur mandati përfundon, modeli i mirë duhet të vazhdojë.
Porosia e tretë është bartja e përvojës së mirë dhe mbështetja.
Ata që vijnë pas jush do të kenë nevojë për përvojën, mençurinë, këshillat dhe mbështetjen tuaj. Askush nuk ndërton i vetëm; punët e mira ndërtohen duke e mbështetur njëri-tjetrin. E mira e xhamive tona dhe besimtarëve tonë është mbi çdo mandat dhe mbi çdo individ.
Dua t’ju falënderoj edhe një herë për çdo kontribut që keni dhënë. Zoti e shpërbleftë secilin prej jush për punën, mundin dhe qëllimin e mirë. Uroj që bashkëpunimi të vazhdojë, qoftë edhe në forma të tjera, dhe që së bashku të ndërtojmë një organizim fetar edhe më të fortë, më të bashkuar dhe më të dobishëm për të gjithë”.
Myftiu mes tjerash theksoi se në ditët në vijim e deri në fund të muajit do të përmbyllen të gjitha zgjedhjet paraprake.
Në pikën “Të ndryshme” u diskutua çështja financiare e Myftinisë për periudhën e kaluar, u raportua mbi gjendjen e arkës së anëtarësisë, u tregua se duhet të plotësohet dokumentacioni i çdo të punësuari me urdhëresë nga ana e Rijasetit të BFI-së, u dha njoftimi për hapjen e Xhamisë “Firdeus”, si dhe u trajtuan edhe çështje të tjera me rëndësi për funksionimin e rregullt të institucioneve fetare.
Në fund Myftiu falemnderoi të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre, si dhe u dëshiroi zgjedhje të mbara dhe suksese në veprimtaritë e tyre mbi përgjegjësitë që do të bartin.





