AKTUALE

REISUL ULEMA PRITI NË TAKIM IMAMIN DHE AKTIVISTIN NË ZVICËR DOC. DR. BASHKIM EF. ALIU

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Drejtori për Diasporë, Mr. Mafiz Rustemi, dhe Drejtori i Sektorit për Kulturë dhe Shkencë, Mr. Musanif Rufati, priti në takim Hoxhë Doc. Dr. Bashkim ef. Aliu, imam në Xhaminë Shqiptare në Seebach, Zvicër,.

Gjatë bisedës u trajtuan zhvillimet brenda Bashkësisë Fetare Islame, pastaj roli i imamëve dhe xhamive shqiptare në Zvicër, si dhe sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen besimtarët në diasporë. U theksua rëndësia e organizimit, koordinimit dhe forcimit të veprimtarive që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën fetare, edukative dhe shoqërore të komunitetit.

Takimet me Doc. Dr. Bashkim ef. Aliun janë gjithmonë të dobishme dhe frytdhënëse, duke pasur parasysh formimin e tij të lartë akademik dhe angazhimin e gjerë fetar, shkencor dhe organizativ. Ai përbën një vlerë të veçantë për komunitetin shqiptar në Zvicër, por edhe për Bashkësinë Fetare Islame dhe besimtarët në vendlindje.

Përveç detyrës së imamit, ai është autor i një sërë librash fetarë e shkencorë dhe përkthyes i veprave me peshë të madhe në shkencat islame, përfshirë Tefsirin e Ibn Kethirit, Vendimet e Akademisë së Fikhut Islam dhe shumë tituj të tjerë që i shërbejnë dijes, studimeve islame dhe besimtarve . Po ashtu, ai kontribuon në kujdesin shpirtëror dhe risocializimin e të burgosurve në institucionet korrektuese në Zvicër, një shërbim me vlerë të madhe shoqërore.

Gjithashtu edhe Xhamia Shqiptare në Seebach është një model i xhamive multifunksionale në diasporë. Kjo xhami njihet edhe për botimin e mbi 50 titujve, duke dëshmuar për kontributin e saj të gjerë në fushat fetare dhe kulturore.

Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i dorëzoi Doc. Dr. Bashkim ef. Aliut një Mirënjohje për angazhimin e tij të vazhdueshëm në shërbim të fesë, xhematit dhe diturive islame. Po ashtu, u ndanë Mirënjohje të veçanta për Xhaminë Shqiptare në Seebach për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.

Ndërsa, Doc. Dr. Bashkim ef. Aliu i dhuroi Bashkësisë Fetare Islame, Medresesë “Isa Beu” dhe Fakultetit të Shkencave Islame një numër të konsiderueshëm librash të autorësisë dhe përkthimit të tij, mes tyre edhe Tafsirin e Ibn Kethirit, një prej tefsireve bazë të Kur’anit Famëlartë.

Imamit i urojmë suksese të mëtejshme, me dëshirën që bashkëpunimi ynë të ngrihet edhe më lart, në shërbim të besimtarëve, dijes dhe shkencave islame.

Related posts

Grubi shpenzoi mbi 20 mijë euro për shërbime gastronomie

Gjyla Halili

Jusufi: Tetovarët e thanë fjalën e tyre, Fronti Europian do dalë fitimtar bindëshëm

Gjyla Halili

Siljanovska nuk përmendi termin “Maqedoni e Veriut”/ Eichhorst: BE kërkon respektim të plotë të Marrëveshjes së Prespës

Gjyla Halili