AKTUALE

Agron Dedivanaj mesazh me rastin e Ditës së Alfabetit Shqiptar: Alfabeti, themeli i identitetit tonë kombëtar

Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit, Kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë” në Miçigan, z. Agron Dedivanaj, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët në diasporë dhe trojet etnike, duke theksuar rëndësinë historike dhe kulturore të kësaj date të shënuar.

Z. Dedivanaj vuri në dukje se Kongresi i Manastirit, i mbajtur më 14–22 nëntor 1908, është një nga momentet më vendimtare të historisë kombëtare, pasi unifikoi alfabetin e gjuhës shqipe dhe i dha kombit një bazë të përbashkët gjuhësore, kulturore dhe arsimore.
“Alfabeti i shqipes është themeli i identitetit tonë kombëtar. Vendimi i atyre burrave të mëdhenj në Manastir i hapi rrugën arsimit, kulturës dhe vetëdijes kombëtare. Është detyrë e jona sot, në diasporë dhe në atdhe, të ruajmë dhe të kultivojmë gjuhën shqipe me të njëjtin përkushtim,” u shpreh Dedivanaj.

Ai theksoi se Shoqata “Jehona e Malësisë” mbetet e angazhuar në promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në komunitetin shqiptar të Miçiganit, duke e konsideruar Ditën e Alfabetit si një festë të dijes, unitetit dhe trashëgimisë sonë të përbashkët.

Në përfundim, Kryetari Dedivanaj uroi që kjo ditë të shërbejë si kujtesë e vlerës së gjuhës shqipe dhe frymëzim për brezat e rinj të diasporës që të vazhdojnë ta mësojnë dhe ta mbajnë gjallë atë.

Ja postimi plotë:

Dita e Alfabetit është një nga datat më të rëndësishme në historinë kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve. Ajo përkujton Kongresin e Manastirit, i cili u mbajt më 14–22 nëntor 1908 dhe ku u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe në bazë të shkronjave latine. Ky vendim historik i dha shqiptarëve një gjuhë të përbashkët të shkruar, duke forcuar identitetin kombëtar dhe duke i hapur rrugë zhvillimit arsimor, kulturor e politik.

Kongresi bashkoi figura të shquara të arsimit dhe letërsisë, të cilët me largpamësi kuptuan se një komb me një alfabet të unifikuar është një komb më i fortë. Falë këtij akti, u krijuan mundësitë për botimin e librave, gazetave dhe materialeve arsimore në gjuhën shqipe, çka ndihmoi në përhapjen e dijes dhe në forcimin e ndërgjegjes kombëtare.

Sot, Dita e Alfabetit na kujton rëndësinë e gjuhës si gur themeli i identitetit dhe traditës sonë. Ajo është një festë e dijes, e unitetit dhe e kulturës shqiptare—një ditë për të nderuar të kaluarën dhe për të çmuar të ardhmen tonë gjuhësore.

Related posts

Faton Ahmeti: Tetova flet me zë të lartë, ndryshimi është i pandalshëm!

Gjyla Halili

Nxënësit e mektepit në fshatin Lisec kaluan provimin e hatmes së Kuranit Fisnik

Gjyla Halili

Shaqir Fetahu: “Mundohu të kultivosh të mirën, kështu të do Zoti”

Gjyla Halili