Autostrada Shkup–Bllacë është një projekt që për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm infrastrukturë është simbol i lidhjes me Kosovën, i zhvillimit ekonomik dhe i dinjitetit politik. Dhe pikërisht për këtë arsye heshtja e VLEN-it rreth këtij projekti është më shumë se zhgënjim është mungesë përgjegjësie, shkruan Zhurnal.
Vonesa në thirrjen publike për autostradën Shkup – Bllacë –
Ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski pranon se ka vonesa në zgjedhjen e realizuesit për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë. Sipas tij, zgjedhja që duhet të ishte bërë gjatë muajve të verës, u vonua për shkak të zgjedhjeve lokale dhe koordinimit të projektit me Bankën Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim. Interesimi i kompanive në thirrjen publike është i lartë, thotë Nikollovski.
Procedura për zgjedhjet e realizuesit është në fazë shumë të përparuar. Afati për dorëzimin e ofertave ka përfunduar. Ka mjaftë oferta. Për shkak të fshehtësisë së procedurës nuk mundem ta them numrin por është numër i madh. Janë oferta shumë serioze dhe të paktën tre prej tyre janë në korniza të buxhetit të paraparë që është shumë domethënëse sepse ne arritëm ta kthejmë projektin në normalitet, sepse një projekt aq të shtrenjtë nuk mundet ta bëjë asnjë shtet. Ne kur e trashëguam ishte diku 27 milion euro për kilometër që mendoj se ishte punë e papërballueshme”, tha për Alsat Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.
Në ndërkohë, VLEN hyri në Qeveri me premtimin se “shqiptarët do të kenë përfaqësim të denjë”, se do të sillnin transparencë, profesionalizëm dhe ritëm. Por sot, kur flitet për autostradën Shkup–Bllacë, kemi një paradoks të hidhur partia që dikur e akuzonte BDI-në për dështime, sot po përdor të njëjtat justifikime, të njëjtën heshtje dhe të njëjtën mjegull informacionesh.
VLEN e kritikoi fort BDI-në por sot po përsërit të njëjtën sjellje –
Në opozitë, VLEN deklaronte me të drejtë se projektet strategjike për shqiptarët po sabotohej mes aferash tenderuese dhe paaftësie menaxheriale. Sot, kur proceset tenderuese janë në dorën e tyre, shohim të kundërtën e asaj që premtuan.
Është e papranueshme që për një projekt që prek dhjetëra mijëra qytetarë, përfaqësuesit politikë shqiptarë të flasin më pak se çdokush tjetër. VLEN nuk mund të fshihet pas deklaratave të Ministrit të Transportit dhe as të bëjë rolin e spektatorit në një proces që vetë e shfaqi si prioritet kombëtar.
Çdo ditë vonesë në këtë projekt vlen më shumë se një justifikim qeveritar është goditje ndaj interesave të shqiptarëve. Dhe janë pikërisht përfaqësuesit e tyre në pushtet që duhet të japin llogari për çdo hap, çdo procedurë, çdo afat të humbur.
Deklarata e ministrit Nikollovski se procedura është “shumë e përparuar”, se “ka shumë oferta”, por se “nuk mund të jepen numra për shkak të fshehtësisë”, vetëm sa thellon dyshimin. Nëse gjithçka është në rregull, pse kjo mungesë e thellë transparence? Pse nuk ka njoftime të rregullta, konferenca, publikime të detajuara, siç premtoi VLEN?
VLEN duhet të japë përgjigje të qarta për disa pyetje të drejtpërdrejta: Kush ka faj për vonesat e thirrjes publike? A ka pasur probleme në projektin e trashëguar, apo thjesht menaxhim të dobët nga ministrat e rinj? Pse nuk publikohen të dhënat, numrat, afatet dhe ofertuesit? Pse shqiptarët sërish informohen me gjysmë-deklarata dhe jo me fakte të plota?
Derisa këto pyetje mbesin pa përgjigje, dyshimi se vonesat janë të qëllimshme ose të paktën rezultat i papërgjegjshmërisë vetëm rritet. VLEN nuk mund të sillet sikur është ende në opozitë.
Prandaj, VLEN duket sikur vazhdon të funksionojë me mentalitetin e opozitës kritikon, por nuk merr përgjegjësi. Heshtja për autostradën Shkup–Bllacë është shembulli më i qartë. Përfaqësuesit e saj nuk mund të mbajnë më fjalime në studio televizive dhe të fshihen kur vjen puna te vendimmarrja konkrete. Në pushtet nuk mjafton të tregosh problemet duhet t’i zgjidhësh. Dhe kur nuk i zgjidh, duhet të dalësh para qytetarëve dhe të japësh llogari. Kujtojmë që, autostrada Shkup–Bllacë është interes strategjik për shqiptarët, por sot ajo po kthehet në një provë të madhe të besueshmërisë së VLEN-it që premtimet e tyre bëhen realiteti apo mbesin në letër. /Zhurnal.mk