Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka bërë një deklaratë publike në të cilën ka theksuar edhe një herë mirënjohjen ndaj Gjeneralit amerikan Wesley Clark për rolin e tij gjatë konfliktit në Kosovë dhe në mbështetjen ndërkombëtare për popullin shqiptar.
Ahmeti ka kujtuar se gjenerali Clark, ish-komandant suprem i forcave të NATO-s në Evropë, ka dëshmuar publikisht për krimet e kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe ka mbështetur ndërhyrjen ndërkombëtare që solli ndërprerjen e dhunës ndaj civilëve shqiptarë. Ai theksoi se deklarimet e Clark-ut për planin e Millosheviqit kundër shqiptarëve janë pjesë e procesit të dokumentuar edhe para gjykatave ndërkombëtare.
“Gjenerali i lirisë, Wesley Clark, do të mbetet pjesë e historisë sonë kombëtare, ashtu si edhe miqtë tanë ndërkombëtarë që u rreshtuan në mbështetje të popullit shqiptar,” u shpreh Ahmeti.
Në fjalën e tij, ai përsëriti thirrjen që “proceset gjyqësore të trajtohen me drejtësi dhe paanshmëri” dhe shprehu dëshirën që të akuzuarit shqiptarë në procedurat ndërkombëtare të kthehen pranë familjeve të tyre, duke u bazuar – siç tha ai – “në të vërtetën, faktet dhe vuajtjet e popullit tonë”.
Ja postimi plotë:
Falemnderit Gjeneral, Ju jeni legjenda e vërtetë!
Drejtësia është në fjalët e Gjeneralit Amerikan Uesli Klark, ish komandantit të NATO-së.
Drejtësia është në çiltërsinë e luftës sonë çlirimtare dhe në kushtrimin e popullit shqiptar për liri, demokraci, pavarësi dhe miqësi me 🇺🇸 dhe 🇪🇺
Lironi djemtë tanë! Këtë ua kërkon e vërteta dhe çdo dëshmi, çdo vuajtje e popullit tonë,çdo pikë gjaku e dëshmorëve dhe martirëve për liri, çdo gjymtyrë e invalidëve për pavarësi.
Gjeneralin Kllark e kam takuar disa herë dhe që në takimin e parë më tha që gjakpirësi Millosheviq i kishte thënë që me shqiptarët e kam lehtë, thjeshtë i vrasim që të gjithë. Këtë e konfirmoi edhe në Hagë në sytë e gjithë botës.
Gjenerali i lirisë është dhe do të mbetet pjesë e historisë sonë kombëtare dhe ne jemi mirënjohës për jetë të jetëve miqve tanë 🇺🇸 që u rreshtuan me të drejtën e kombit shqiptar dhe kundër gjenocidit serb.
Koha për ti kthyer djemtë tanë në shtëpi!!!