Shoqëria “LËVIZJA” do të shënojë këtë vit 10-vjetorin e themelimit të saj, një dekadë të mbushur me veprimtari të pandërprera në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e trashëgimisë atdhetare, politike e çlirimtare të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të historikut të LPK-UÇK-së.
Ceremonia jubiliare do të mbahet të dielën, më 23 nëntor 2025, në restaurantin “Motrat Binjake”, pranë qendrës tregtare “Prishtina Mall”, duke filluar nga ora 18:00.
Në mbështetje të këtij aktiviteti është shprehur edhe atdhetari i njohur Luan Veliu, një nga figurat e respektuara të veprimtarisë kombëtare dhe i angazhuar ndër vite në çështjet e lirisë dhe të drejtave shqiptare. Veliu ka vlerësuar lart punën e Shoqërisë “LËVIZJA”, duke theksuar rëndësinë e saj në dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës së brezave për luftën dhe sakrificën e popullit shqiptar.
Në këtë mbrëmje solemne pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të Shoqatës së të Burgosurve Politikë si dhe të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së. Organizatorët theksojnë se janë të mirëseardhur të gjithë veprimtarët e hershëm, luftëtarët e lirisë dhe simpatizantët e Shoqërisë “LËVIZJA”.
Programi i VITIT JUBILAR do të përfshijë disa fjalime të shkurtra, përfshirë edhe një adresim kushtuar festës së shenjtë kombëtare – 28 Nëntorit. Pjesëmarrësve do t’u jepet gjithashtu mundësia që brenda dy minutave të shprehin urimet e tyre, të japin mendime e propozime, apo të bëjnë vlerësime për punën e deritanishme të Shoqërisë.
“Gëzuar 10-vjetorin e Shoqërisë LËVIZJA dhe Festat e Mëdha të Nëntorit!”, thuhet në njoftimin e organizatorëve, të cilët ftojnë të gjithë të interesuarit të konfirmojnë pjesëmarrjen.