Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, ka reaguar me një mesazh të fuqishëm kushtuar Tetovës, duke e cilësuar atë si simbol të protestave, rezistencës dhe kauzave që lindën në zemrat e njerëzve.
“Tetova është qyteti ku mllefi u shndërrua në lëvizje gjithëpopullore, ku askush nuk heshti kur u prek dinjiteti,” ka theksuar Ajdari, duke kujtuar historinë e këtij qyteti si epiqendër e zgjimit kombëtar dhe shpresës kolektive.
Ajo ka vënë theksin tek roli i Tetovës si vend që ka hapur dyert për studentët, familjet dhe çdo njeri që ka kërkuar mundësi, duke shtuar se qyteti gjithmonë ka qenë vatër e solidaritetit dhe zhvillimit shoqëror.
“Sot Tetovës i duhet zgjim kombëtar, fryma e intelektualizmit dhe shpirti i gjyshërve tanë – atyre që hapën shkolla e mbanin libra nën sqetull për të ndriçuar rrugën e brezave,” ka thënë më tej deputetja.
Në fund të mesazhit, Ajdari ka theksuar se Tetova nuk duhet të dorëzohet, por të çohet sërish në këmbë — e bashkuar, me vizion dhe me besim në të ardhmen.
“Ky qytet vërtetë meriton shumë më shumë sepse është thirrje, është amanet e mbi të gjitha, detyrim,” ka përfunduar ajo.
Ja postimi plotë:
Tetova është simbol
Qyteti i protestave dhe rrezistencës, qyteti ku kauzat lindën në zemrat e njerëzve dhe u përhapën si flakë shprese. Qyteti ku mllefi u shndërrua në lëvizje gjithëpopullore, ku nuk heshti askush kur u prek dinjiteti.
Tetova që ka pritur krahëhapur studentët që erdhën të ëndërrojnë; familjet që kërkuan strehim, çdo njeri që kishte nevojë për një mundësi. Ndër vite, shumë prej tyre gjetën vend, mbështetje dhe besim se nesër mund të bëhet më mirë.
Tetovës sot, i duhet zgjim kombëtar që të tundë pluhurin e harresës, i duhet fryma e intelektualizmit dhe shpirti i gjyshërve tanë, atyre që hapën shkolla, u ngjitën kodrave me libra nën sqetull, që u bënë pararendës të arsimit, kulturës e emancipimit, kur askush nuk besonte.
Tetovës i duhet të mos dorëzohet.
Tetovës i duhet të çohet sërish në këmbë, e bashkuar dhe me vizion. Me urtinë e së kaluarës, me forcën e së tashmes dhe me besimin se e ardhmja na përket ne.
Ky qytet vërtetë meriton shumë më shumë sepse është thirrje, është amanet e mbi të gjitha detyrim.