“Gjuha jonë,sa e mirë,
Sa e ëmbël, sa e gjerë,
Sa e lehtë, sa e d’lirë,
Sa e bukur, sa e vlerë.”
— Naim Frashëri
Në frymën e vargjeve të pavdekshme të rilindasit të madh Naim Frashëri, Shoqata “Jehona e Malësisë” ka nderin dhe kënaqësinë të njoftojë fillimin e orëve mësimore të gjuhës shqipe që do të zhvillohen në ambientet e shoqatës sonë.
Kjo nismë përbën një hap të rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe ndër brezat e rinj të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes këtij projekti edukativ e kombëtar, synohet forcimi i identitetit kulturor, gjuhësor dhe kombëtar të fëmijëve të komunitetit tonë.
Në aktivitetet tona kemi vërejtur me kënaqësi një nivel të lartë vetëdijeje kombëtare tek të rinjtë shqiptarë të rritur në SHBA, të cilët, pavarësisht, ruajnë me krenari emrin, origjinën dhe identitetin e tyre shqiptar.
Duke u mbështetur në këtë vetëdije të gjallë kombëtare, shoqata ka ndërmarrë këtë iniciativë për të kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në trashëgiminë e gjuhës dhe shkrimit shqip — si mjeti më i fuqishëm i ruajtjes së identitetit kombëtar dhe shpirtit shqiptar në diasporë.
Qëllimi kryesor i kësaj nisme është që gjuha shqipe të dëgjohet dhe të përdoret me dashuri në çdo familje shqiptare brenda komunitetit tonë. Mësimi i gjuhës amtare për fëmijët është një investim në të ardhmen — në formimin e brezave që do të mbartin me dinjitet vlerat, kulturën dhe traditat shqiptare.
Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë prindërve, anëtarëve të komunitetit dhe bashkatdhetarëve tanë që të regjistrojnë fëmijët e tyre në këtë program mësimor që do të zhvillohet në ambientet moderne dhe zyrtare të Shoqatës “Jehona e Malësisë”.
Ora e parë për tu njoftuar dhe caktuarë orarin mësimor:
E enjte, 6 nëntor 2025, ora 18:00 (6:00 PM)
Shoqata “Jehona e Malësisë”
48137 Van Dyke Avenue, Shelby Township, MI 48317
Pjesëmarrja në këto orë mësimore është falas.
Për regjistrim dhe informacion shtesë, kontaktoni:
• Dedë Dushaj, Sekretar – (248) 688-8685
• Zef Berishaj, Nënkryetar – (586) 615-2836
• Simon Sinishtaj, Nënkryetar – (586) 839-0142
• Beku Gjelaj, Arkatar – (586) 292-4204
• Kolë Dedivanaj, Anëtar Bordi – (586) 295-9007
Interesimi është i lartë, nxito!
Bashkohuni me ne në këtë mision të shenjtë kombëtar!