Bartësi i listës së Koalicionit AKI, Ilir Rushani, dhe bashkëpunëtori i tij Shefki Imeti, kanë shprehur mirënjohjen e tyre të thellë ndaj mërgimtarëve kërçovarë dhe shqiptarë në Zvicër për mikpritjen dhe mbështetjen e jashtëzakonshme.
“Mbështetja e popullit është zëri më i fuqishëm që mund të dëgjohet, dhe sot ai zë vjen nga ju. Në çdo shtëpi kërçovare ndjeva dashuri, përkushtim dhe besim. Jam i përmbushur deri në qiell nga kjo mbështetje,” – u shpreh Rushani.
Ilir Rushani dhe Shefki Imeti vlerësuan Shoqatën “Kërçova” për organizimin e mrekullueshëm dhe falënderuan kryetarin Resul Mehmedi, anëtarët aktualë e të mëhershëm, si dhe të gjitha shoqatat pjesëmarrëse.
“Ju jeni fryma e vërtetë e patriotizmit, shembulli i bashkimit dhe dashurisë ndaj vendlindjes.
Lum Kërçova që ka bij e bija si ju, lum shqiptaria që krenohet me ju.”
Ky takim dëshmoi edhe një herë se Kërçova është një, shqiptaria është një – me zemra që rrahin fort për atdheun./Tv Gurra





