Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Myftiu i Tetovës, Dr. Selver ef. Xhemaili, dhe Myftiu i Gostivarit, H. Sabahudin ef. Zendeli, vizituan Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Reisul Ulemanë e priti Rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, i shoqëruar nga Këshilltarja për marrëdhënie ndërkombëtare dhe komunitet, Prof. Dr. Besa Arifi. Gjatë takimit, Reisul Ulema e uroi rektorin për mandatin e ri, duke vlerësuar angazhimin dhe rolin e universitetit si një institucion i rëndësishëm që kontribuon në zhvillimin arsimor, shkencor dhe kulturor të vendit. Ai theksoi se dija dhe institucionet e dijes janë të shenjta në Islam, andaj është obligim i çdonjërit prej nesh që të përkujdesemi për to.
Në takim u diskutuan zhvillimet në arsimin e lartë, si dhe mundësitë për bashkëpunim. Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të ndërtuar ura të forta partneriteti në funksion të zhvillimit arsimor, kulturor dhe shoqëror të komunitetit.
Reisul Ulema edhe njëherë e uron Rektorin Prof. Dr. Sadudin Ibraimi për detyrën e re, duke u lutur për suksese të vazhdueshme në punën e tij akademike dhe menaxheriale.



