AKTUALE

Ali Ahmeti nga Likova: Kjo nuk është më referendum, është plebishit kombëtar për dinjitetin shqiptar

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, deklaroi se beteja politike e 19 tetorit nuk është më thjesht një proces zgjedhor, por një “plebishit kombëtar” për dinjitetin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Duke folur në hapjen e shtabit komunal të AKI-së në Likovë, Ahmeti tha se populli është në këmbë dhe i vendosur për të rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur.

“Kjo më nuk është referendum, është plebishit. Shqiptarët nuk janë qiraxhinj në shtëpinë e tyre. Shqiptarët janë dalëzotës të dinjitetit dhe substancës kombëtare,” u shpreh Ahmeti para një tubimi të madh mbështetësish.

Sipas tij, fitorja në zgjedhjet lokale të 19 tetorit është e sigurt, por thellësia dhe madhështia e saj do të varen nga vendosmëria dhe mobilizimi i qytetarëve shqiptarë.

“Jemi bërë bashkë sepse po rrezikohet substanca kombëtare dhe shqiptarët nuk do të lejojnë kurrë që dikush tjetër të vendosë për ta,” shtoi ai.

Ali Ahmeti përfundoi fjalimin e tij me bindjen se Aleanca Kombëtare për Integrim është e vetmja garanci për fitoren dhe për mbrojtjen e interesit kombëtar shqiptar.

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 19 tetor dhe AKI ka shpalosur tashmë disa nga pikat kryesore të fushatës së saj në komunat shqiptare, duke theksuar çështjet e identitetit, dinjitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Related posts

Faton Ahmeti iftarë me KV “Shipkovicë”, “Bozovcë”, “Veshallë”, “Brodec”, “Rasadishtë”, “Gajre” dhe “Lisec” në Malësinë e Tetovës

Gjyla Halili

Ahmeti: Kur qëndron pranë varreve lapidare të Jasharajve në Prekaz kupton sa madhështore është LIRIA

admin

ASH krahu i Selës: Të pranohen amendamentet për heqjen e himnit nga shkollat dhe futjen e gjuhës shqipe për drejtorët

Gjyla Halili