Kandidati i AKI-së për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, ka reaguar ashpër lidhur me ndërtimin e bulevardit “Boris Kidriç”, duke e quajtur projektin një skandal të madh urbanistik dhe financiar.
Sipas tij, për këtë bulevard janë nënshkruar dy kontrata për punë ndërtimore, më 06.02.2024 dhe 07.08.2024, me një vlerë totale prej mbi 12 milionë denarësh nga taksat e qytetarëve. Megjithatë, në vend të një lejeje ndërtimi për një projekt të ri, Komuna ka marrë vetëm leje për “rikonstruksion”, e lëshuar më 16.10.2024 – gati një vit pas nënshkrimit të kontratave dhe fillimit të punimeve.
“Sigurimi i lejes së ndërtimit është procedurë që duhet bërë paraprakisht, jo pas fillimit të punëve. Ky është jo vetëm mashtrim ndaj qytetarëve, por edhe shkelje e rëndë ligjore që ngre dyshime për korrupsion dhe abuzim me procedurat,” theksoi Rexhepi.
Ai akuzoi Komunën se po përpiqet me fabrikime dhe keqinformim të manipulojë opinionin publik dhe të shmangë përgjegjësinë. “Kjo nuk kalon. Koha e përgjegjësisë po afrohet dhe përgjegjësi do të ketë,” u shpreh Rexhepi.
Ja postimi i plotë:
SQARIM PËR OPINIONIN ℹ️
Për ndertimin e bulevardit Boris Kidriç, janë nënshkruar dy kontrata për punë ndërtimore, njëra më 06.02.2024 dhe tjetra më 07.08.2024, me një vlerë totale prej mbi 12 milionë denarësh. Pra, mbi 12 milionë denarë nga taksat e qytetarëve të Tetovës janë hedhur për një projekt që nga fillimi e deri sot është shoqëruar me absurditete dhe parregullsi.
Çfarë ka ndodhur në realitet?
Në vend të një lejeje të ndërtimit për një projekt të ri, meqë bëhet fjalë për ndërtim të trasesë së re, komuna ka marrë leje për “rikonstruksion”, që nuk përputhet me natyrën e punimeve dhe që është lëshuar gati një vit pas nënshkrimit të kontratave me operatorin ekonomik, gjejgësisht me 16.10.2024.
Sigurimi i lejes së ndërtimit është procedurë që duhet të bëhet paraprakisht, jo pas fillimit të punëve ndërtimore dhe nënshrkimit të kontratës. Kjo është jo vetëm tallje me qytetarët, por edhe shkelje e rëndë ligjore që hap dyshime për korrupsion dhe abuzim me procedurat.
Komuna e Tetovës tani mundohet, përmes fabrikimeve dhe keqinformimit të qëllimshëm të gënjejë opinionin publik dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kjo nuk kalon, koha e përgjegjësisë po afrohet dhe përgjegjësi do të ketë!

