AKTUALE

Artin Spahiu: Tetova meriton qytetërim dhe zhvillim, jo kriminalitet dhe degradim!

Tetova, kryeqendra e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, qyteti ku u shkrua historia e re e shqiptarëve, sot po shndërrohet në një vend të plaçkitur çdo ditë nga një kastë individësh të paaftë dhe të vetëkënaqur. Por zgjedhjet lokale nuk janë thjesht një garë për një mandat katërvjeçar: ato janë një test për dinjitetin dhe të ardhmen e të gjithë shqiptarëve.

Katër vitet e fundit, Tetova është përballur me dekulturalizim, injorancë dhe kriminalitet. Qeverisja lokale ka përfaqësuar korrupsionin, klientelizmin dhe humbjen e identitetit kombëtar. Për më tepër, ndikimi i huaj sllavo-lindor ka kërcënuar fytyrën shqiptare të qytetit.

Tetova nuk mund të pajtohet me këtë gjendje. Ky qytet nuk është thjesht një qendër urbane, por zemra e arsimit, kulturës dhe mendimit shqiptar. Nga qyteti i dy universiteteve dhe i intelektualëve, Tetova është shndërruar në një vatër klientelizmi, kriminaliteti dhe prapambetjeje sociale.

Kjo është arsyeja pse këto zgjedhje janë vendimtare. Tetovarët duhet të zgjedhin qytetërimin mbi kriminalitetin, zhvillimin mbi injorancën dhe të ardhmen europiane mbi interesat e ngushta të kastës që po e gërryen qytetin.

Tetova meriton të jetë dritarja e shqiptarëve drejt progresit, jo pasqyra e turpit të një qeverisjeje të degraduar. Zgjedhja është në duart e qytetarëve, të cilët, me ngulësinë dhe dinjitetin e tyre, mund t’i besojnë Bajram Rexhepit dhe jo Bilall Kasamit.

Bajram Rexhepi përfaqëson Tetovën e shekullit XXI. Politikan dhe intelektual serioz, vizionar dhe me përvojë. Ai ka një program konkret për modernizimin e infrastrukturës, zgjidhjen e problemit të mbeturinave, ndërtimin e hapësirave të gjelbra dhe rikthimin e rendit urban. Për Bajramin, Tetova nuk është thjesht një plaçkë politike, por zemra dhe kryeqendra e shqiptarëve që meriton respekt dhe shërbim.

Nga ana tjetër, qytetarët e Tetovës e kanë parë qeverisjen e Bilall Kasamit, md premtime të pambajtura, rrugë të mbuluara me pluhur dhe mbeturina, mungesë transparence, privilegjim të klaneve, thellim të varfërisë urbane dhe shitje
të dinjitetit kombëtar.

Për të gjitha këto arsye, zgjedhja e Bajram Rexhepit është garancia që Tetova do të ketë një menaxhim modern, të ndershëm dhe me vizion europian, me drejtues shqiptarë me integritet dhe dinjitet.

Bajram Rexhepi do të rikthejë shpresën në Tetovë. Tetova nuk ka më kohë për eksperimente me figura të paafta , me prirje vasaliste, perverse politike dhe djallëzore, si Bilall Kasami. Tetova ka nevojë për duar të sigurta dhe mendje vizionare, të cilat sot mund t’i gjejë te Bajram Rexhepi.

Me Bajram Rexhepin, Tetova fiton qytetari. Me Bilall Kasamin, qyteti humb edhe katër vite të tjera drejt shkatërrimit të parikuperueshëm.

#everyone

Related posts

Dita e diplomacisë – 55 vjet nga themelimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme

Gjyla Halili

Kostadinovska Stojçevska e refuzon rindërtimin e Postës në Shkup

Gjyla Halili

“Faturat e larta të energjisë”, qytetarët mund të kërkojnë nga Byroja për Metrologji që t’i testojnë orëmatësit

Gjyla Halili