AKTUALE

Blerim Bexheti sulmon ashpër VLEN-in: Vasali i politikave antishqiptare të VMRO-së – më 19 tetor do ta marrë përgjigjen nga populli

Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Blerim Bexheti, ka reaguar me tone të ashpra ndaj koalicionit opozitar VLEN, të cilin e ka akuzuar për servilizëm ndaj partnerit qeveritar VMRO-DPMNE dhe për përulje publike që, sipas tij, dëmton dinjitetin e gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Bexheti shkruan:

“Një fjalë popullore thotë: ‘Rezili e ka ngrënë turpin me bukë’. Kështu ndodh kur padroni yt të qorton në mes të Tetovës, e ti sa nuk shpërthen në lot duke i kërkuar falje.”

Ai i referohet një episodi publik ku, sipas tij, një përfaqësues i VLEN-it është qortuar publikisht nga partnerët maqedonas, duke lënë të kuptohet për një pozicion të nënshtruar politik që, sipas Bexhetit, është i papranueshëm për përfaqësuesit e shqiptarëve.

“Fatkeqësisht, ky turp nuk mbetet vetëm mbi ju dhe familjet tuaja, por shndërrohet në njollë mbi të gjithë shqiptarët, për të cilët keni guximin të thoni se i përfaqësoni,” theksoi ai, duke paralajmëruar se shqiptarët nuk do ta falin këtë sjellje “as sot, as kurrë”.

Bexheti deklaroi se VLEN është shndërruar në një “vasal të bindur dhe zbatues të politikave antishqiptare të VMRO-DPMNE-së”, dhe se më 19 tetor – data e zgjedhjeve lokale – do të përballet me një përgjigje të qartë nga vota shqiptare.

“Një porosi aq e qartë, sa që as ju, e as kushdo tjetër pas jush, të mos guxojë më kurrë ta përulë kombin tonë para partive maqedonase,” vijon ai.

Deputeti i BDI-së e mbyll postimin me një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj narrativës së opozitës shqiptare:

“Ironia është kjo: ju pretendoni të jeni ‘zëri i shqiptarëve’, por në të vërtetë jeni vetëm jehona e politikave antishqiptare që ju diktojnë padronët tuaj.”

Ky reagim vjen në një kohë kur fushata për zgjedhjet lokale është intensifikuar dhe rivaliteti mes BDI-së dhe VLEN-it ka hyrë në një fazë të ashpër politike dhe retorike.

Related posts

Aziri: VLEN i quan hajdutë votuesit e tyre duke i poshtëruar ata dhe një elektorat të tërë

Gjyla Halili

LSDM dhe BDI në garë për kreun e KSHZ-së dhe komisionet parlamentare

Gjyla Halili

Izet Mexhiti forcon lidhjet me Turqinë, a po e braktis komuniteti turk Ali Ahmetin?

Gjyla Halili