Kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, ka marrë pjesë në ekspozitën personale të profesor Izet Zeqirit, akademikut dhe ekonomistit të njohur, i cili prej vitesh ka gërshetuar mjeshtërinë e llogaritjeve me botën e artit, duke e shndërruar gurin dhe drurin në gjuhë të fuqishme shprehëse.
Rexhepi u shpreh se është një përjetim i veçantë të gjendesh mes artistëve, e sidomos pranë një personaliteti si profesor Zeqiri, i cili ka ditur të shndërrojë përvojën akademike në krijimtari artistike me vlera të qëndrueshme.
“Është një ndjenjë e veçantë të jesh mes artistëve. Aq më tepër kur bëhet fjalë për profesor Izet Zeqirin, akademikun dhe ekonomistin që llogaritjet i ka kthyer në mozaikë dhe gurët e drurin në gjuhë shprehëse të artit. Në çdo fragment të punimeve të tij sheh jo vetëm mjeshtërinë e dorës, por edhe filozofinë e qëndrueshmërisë dhe kujtesës që guri dhe druri përcjellin,” shkruan Rexhepi.
Ekspozita e titulluar “Natyra në gurë” paraqet një përmbledhje të veprave artistike ku natyra, materiali dhe ndjenja njerëzore bashkohen në një tërësi harmonike, duke sjellë një qasje unike për mënyrën se si arti mund të pasqyrojë jetën dhe trashëgiminë kulturore.
Rexhepi e cilësoi këtë ekspozitë si një dëshmi të fortë se arti nuk është vetëm pasqyrim i imagjinatës, por edhe urë lidhëse mes brezave, një mënyrë për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të afirmuar identitetin kulturor.
Në fund, ai i uroi profesor Zeqirit shëndet dhe shumë ekspozita të tjera frymëzuese, duke shprehur bindjen se vepra të tilla do të vazhdojnë të japin mesazhe të fuqishme në shoqërinë tonë.




