AKTUALE

Deputetja Rina Ajdari gjatë takimit me mërgatën në Tetovë: Qeveria aktuale po e shkatërron pozitën e shqiptarëve, zgjedhjet lokale janë referendum për dinjitetin tonë

Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Rina Ajdari, gjatë një takimi të mbajtur sot me përfaqësues të mërgatës shqiptare në Tetovë, drejtoi kritika të ashpra ndaj qeverisë aktuale, duke e cilësuar si përgjegjëse për, siç tha ajo, degradimin sistematik të pozitës së shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe për cenimin e parimeve të Marrëveshjes së Ohrit.

“Erdhën fatkeqësisht me premtimin për ndryshim radikal, dhe po e realizojnë atë – por në drejtimin e gabuar. Ky është një ndryshim radikal negativ që po e shkatërron gjithçka,” tha Ajdari, duke iu referuar shumicës aktuale parlamentare dhe partnerëve të saj shqiptarë në qeveri.

Sipas saj, gjatë një viti në opozitë si pjesë e BDI-së dhe Frontit Europian, shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më keq të përfaqësuar, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror. Ajo vuri theksin në mënyrën se si VMRO-DPMNE, partia udhëheqëse në qeveri, “tenton të paraqesë shtetin si pronë të vetën, ndërsa shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë.”

Ajdari solli në vëmendje disa veprime konkrete që sipas saj tregojnë diskriminimin institucional ndaj shqiptarëve:

• Largimi i drejtorëve ekonomikë nëpër spitale, prej të cilëve mbi 80% ishin shqiptarë, të cilët kishin rol të rëndësishëm në shërbimin ndaj qytetarëve.
• Heqja e drejtorit të Fondit Shëndetësor, që sipas saj përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj parimeve të përfaqësimit të drejtë etnik.
• Fshirja e balancuesit si mekanizëm i Marrëveshjes së Ohrit, çka ka çuar në punësime masive të njëanshme në institucione.

“Një vit me konkurse pa balancues, çdo ditë mbushen institucionet me maqedonas. Ne çdo ditë e sensibilizojmë opinionin. Bilanci është tronditës – për çdo 41 të punësuar, vetëm 1 është shqiptar, ose asnjë,” theksoi deputetja.

Ajo shtoi se gjendja është alarmante edhe në raportet brenda institucioneve shtetërore, ku zyrtarët shqiptarë janë bërë vegla në duart e VMRO-së.

“E shihni sa poshtë është ulur pozita e shqiptarëve. Në komision për Ligjin për Policinë, zëvendësministri i MPB nuk e kishte idenë çfarë ndodhte, sepse i thoshte sekretari shtetëror çfarë të pranojë. Ky është realiteti i hidhur,” shtoi ajo.
Ajdari kritikoi ashpër edhe vendimin e qeverisë për ta fshirë diasporën shqiptare nga procesi zgjedhor, duke paralajmëruar pasoja serioze në përfaqësim:

“Ky është një krim institucional. Nëse nuk e kthejmë këtë vendim, do të kemi më pak këshilltarë shqiptarë dhe më pak mjete buxhetore për komunat shqiptare, megjithëse diaspora është ajo që ka mbajtur gjallë ekonominë dhe shoqërinë tonë.”

Në përfundim, ajo theksoi se zgjedhjet lokale të 19 tetorit do të jenë një referendum kombëtar për të ndalur këtë degradim.
“Ky rrënim i shqiptarëve duhet të ndalet menjëherë.

Na mbetet të mobilizohemi dhe t’i japim fund kësaj situate. Kjo nuk është thjesht për një komunë apo një kandidat, por për dinjitetin tonë kolektiv,” përfundoi Ajdari.

Related posts

Memorandum bashkëpunimi mes NP Agro-Berza dhe Byrosë për Metrologji

Gjyla Halili

Shekerinska merr pjesë në konferencën e sigurisë në Suedi

Gjyla Halili

Faton Ahmeti : Integrimi është rruga jonë e pamohueshme

Gjyla Halili