Fatmir Dehari, kryetar i Komunës së Kërçovës, ka reaguar ashpër ndaj një veprimi të fundit të përfaqësuesve lokalë të VMRO-DPMNE-së, të cilët, sipas tij, po përpiqen të përvetësojnë meritat për projekte të nisura dhe zbatuara nga Komuna.
Në një deklaratë publike, Dehari bëri të ditur se disa përfaqësues të VMRO-së u fotografuan në rrugën Rudniçka, duke falënderuar ministrin aktual të Transportit në emër të qytetarëve të Kërçovës – një gjest që kryetari e cilësoi si të pavend dhe të pabazuar.
“Populli thotë: ‘Është lehtë të ulesh në sofrën e shtruar, por dikush duhet ta gatuaj ushqimin.’”, theksoi Dehari në reagimin e tij.
Ai më pas publikoi një kronologji të detajuar të procesit të realizimit të projektit:
📌 Më 23 dhjetor 2019, u nënshkrua marrëveshje me Bankën Botërore për financimin e rrugëve lokale.
📌 Më 10 shkurt 2020, me vendim qeveritar, Komunës së Kërçovës iu ndanë 1.208.354,75 euro për projekte infrastrukturore.
📌 Më 14 shtator 2021, u nënshkruan marrëveshje për tre projekte kryesore:
Rr. Uzhicka Republika – 330.373 €
Rr. Boris Kidriç – 320.071 €
Rr. Dllapkin Doll – Greshnicë – 68.870 €
Nga kursimet e mbetura, sipas Deharit, Komuna e Kërçovës përgatiti projektin për rrugën Rudnicka në dhjetor 2022, me financim të planifikuar për vitet 2023–2024. Por, për shkak të prolongimeve të shkaktuara nga ndërrimi i qeverisë dhe periudha zgjedhore, realizimi u vonua.
“VMRO jo vetëm që nuk e përkrahu projektin, por edhe e pengoi. Aktivistë të saj ankuan në Bankën Botërore për ‘dëme sociale’, duke u përpjekur të ndalin realizimin,” tha Dehari.
Ai shtoi se Komuna mbuloi me buxhetin e vet 10.000 euro shtesë, si pasojë e kësaj vonese, ndërsa projekti u shty për më shumë se katër muaj.
Kryetari i Kërçovës mbylli reagimin me një thirrje për korrektësi dhe ndershmëri politike:
“⛔ Mos falënderoni për diçka që nuk e keni bërë!
⛔ Mos pengoni ata që kanë punuar dhe punojnë!
✅ Qytetarët dinë të bëjnë dallimin mes punës dhe fotografisë!”
Në fund, ai shtoi me ironi:
“Në fakt, unë jam dakord që ju gëzoheni kur punohet dhe shihet puna. Por tregoni minimumin njerëzor dhe thoni: ‘Faleminderit Komuna e Kërçovës’.”