AKTUALE

Fjalimi i Kryetarit të Shoqatës ” Jehona e Malësisë” Agron Dedivanaj në promovimin madhështorë të “EPOS” në Miçigan

Të nderuar anëtarë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
Të nderuar përfaqësues të botës akademike, shkencore, politike dhe shoqërore të kombit tonë,
Të nderuar artdashës, personalitete të shquara,
zonja dhe zotërinj,

Të marrësh fjalën në një ngjarje si kjo, përballë jush – përballë figurave të ndritura të diasporës sonë, dëshmitarëve dhe bartësve të kujtesës kombëtare, veprimtarëve të përkushtuar e krijuesve të së sotmes dhe të së ardhmes – është një privilegj që rrallëherë i jepet dikujt, që e pranuam me përulësi, mirënjohje dhe përgjegjësi të thellë.

Jemi mbledhur në një çast të veçantë dhe frymëzues për të përuruar ekspozitën dhe promovimin e veprës monumentale artistike “EPOS”, të autorit të shquar z. Vlasov Sulaj – një vepër që nuk është thjesht libër, por një testament i gjallë i shpirtit shqiptar, një urë mes historisë të së kaluarës dhe të së ardhmes, një reflektim i thellë mbi identitetin tonë kombëtarë.

Ky event, i organizuar me dinjitet dhe vizion nga shoqatat “Malësia e Madhe NY”, “Malësia në Kaliforni” dhe “Jehona e Malësisë”, na bën të ndërgjegjshëm se arti, kur përqafohet nga vetë zemra e kombit, bëhet akt politik, akt edukativ, si dhe akt bashkues.

“EPOS” është më shumë se një album fotografik; ai është një rrëfim i gdhendur në ndërgjegje kombëtare, një burim frymëzimi që na thërret të ecim më tej me besim, përkushtim dhe krenari.

Përmes pamjeve të librit, përjetojmë jo vetëm procesin fizik të ndërtimit të përmendores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Tuz, por hyjmë në laboratorin e shpirtit të autorit – aty ku bronzii kthehet në ndjenjë dhe dora e artistit bëhet zgjatim i ndërgjegjes sonë historike.

Kjo vepër nuk dokumenton thjesht një monument, por mishëron vizionin e një brezi që e ndien urgjencën për të ruajtur e trashëguar idealet që na mbajnë gjallë si komb.

Skënderbeu, si kryeheroi i shqiptarëve, nuk është vetëm një figurë e së kaluarës. Ai është prania që na bashkon në çdo cep të globit ku flitet shqip, është drita që na udhëheq në përpjekjet tona për më shumë unitet, më shumë kulturë, më shumë vlera.
Dhe pikërisht për këtë, “EPOS” vjen si një përkujtues i qartë dhe i domosdoshëm: ne kemi me çfarë të jemi krenarë, kemi rrënjë të thella dhe një mision të vazhdueshëm për të mbrojtur, përforcuar dhe promovuar identitetin tonë.

Ngjyrat që përshkojnë këtë vepër – e kuqja dhe e zeza – nuk janë thjesht simbole grafike. Ato janë zëri i flamurit tonë, thirrja e përbashkët e historisë, dhe peshorja mbi të cilën qëndron vetë ideja e shqiptarësisë.

Çdo faqe e këtij libri, çdo kompozim, është një akt dashurie ndaj kombit dhe një thirrje për përfshirje, për ndërgjegjësim dhe për krenari aktive.

Sot, ne nuk jemi vetëm spektatorë të një ekspozite; ne jemi dëshmitarë të një dialogu ndërmjet brezave, ndërmjet atyre që na paraprinë dhe atyre që do të vijnë.

Prandaj, më lejoni ta shpreh publikisht mirënjohjen tonë më të sinqertë për autorin z. Vlasov Sulaj, për vizionin, mundin dhe guximin për të realizuar një projekt që tejkalon kufijtë e artit për t’u kthyer në një përvojë kombëtare.
Ju ftoj të gjithëve, me gjithë shpirt, që të përfshiheni në këtë dialog, të bashkëbisedoni me autorin, të ndani ndjesitë tuaja dhe të lejoni që kjo vepër t’ju udhëheqë në një reflektim më të thellë mbi misionin që kemi si shqiptarë, kudo që jetojmë.

Sepse vetëm duke u ndalur dhe duke vlerësuar këto momente, ne mund ta forcojmë atë që na bashkon: ndjenjën e përkatësisë, të dinjitetit dhe të përbashkësisë.
Të dashur miq,

Kultura është themeli i kombit. Arti është reflektimi më i sinqertë i shpirtit të tij. Dhe mërgata shqiptare në SHBA, përmes mbështetjes që i jep këtyre nismave, dëshmon se ndonëse larg në kilometra, mbetet pranë në zemër dhe në vepër.

Le të jetë kjo ekspozitë një ogur i mirë për më shumë bashkëpunim, për më shumë ngjarje që afirmojnë vlerat tona, dhe për një bashkim gjithnjë më të fortë mes nesh dhe atdheut.

Në përmbyllje, më lejoni të përsëris: arti nuk është luks. Arti është nevojë. Ai është mjeti më i fuqishëm për të komunikuar të vërtetat që politika nuk mund t’i thotë dhe që historia shpesh i harron. Le ta nderojmë këtë vepër dhe të gjitha veprat që forcojnë shtyllat e identitetit tonë.

Me shumë respekt dhe entuziazëm, ju ftoj të vazhdojmë së bashku me pjesën e dytë të këtij eventi – ekspozitën që do të mbetet në kujtesën tonë si një akt i lartë kulture dhe atdhedashurie.

Ju faleminderit nga zemra!
Rroftë kultura shqiptare!
Rroftë bashkimi ynë kombëtar!

Related posts

Në Kuvend debat publik për ndryshimet ligjore për siguri më të madhe në komunikacion

Gjyla Halili

Andonovski: Çdo dokument elektronik që është përpunuar nga një organ shtetëror mund të përdoret në formë të shtypur

Gjyla Halili

Lladrovci: Dëshmorët tanë që ranë për lirinë e Kroacisë, janë ura më e sigurt e bashkëpunimit të qëndrueshëm

Gjyla Halili