AKTUALE

Komuna e Çairit jep mijëra euro për kafiterinë në pronë të zëvendësministres Kaltrina Zekolli Shaqiri, pa shpallje publike dhe transparencë

Mijëra euro nga Komuna e Çairit i janë ndarë në mënyrë sistematike kafiterisë ‘1sh’ në pronësi të zëvendësministres së Transportit dhe ndër njerëzve më të afërm të Izet Mexhitit, Kaltrina Zekolli Shaqirit. Mjetet janë ndarë pa shpallje publike dhe me marrëveshje sy-më-sy. Afër 9 mijë euro i janë lëshuar kësaj kafiterie që kur Zekolli-Shaqiri është zëvendësministre, për më pak se 1 vit. Fqinjët e intervistuar nga Portalb-i thanë se kafiteria më së shpeshti frekuentohet nga aktivistë të Lëvizjes Demokratike. Komuna e Çairit s’i komenton transaksionet e vjetra, thotë se në vitin 2025 aty janë ushqyer sportistët e Çairit kur kanë pasur gara, gjithashtu nuk përgjigjet se pse vetëm ky lokal ndër vite kryen këtë ‘shërbim’ për ata, pa ju dhënë mundësi bizneseve tjera, shkruan Portalb.mk.

Kompania “NEAR 2015” ka pranuar në mënyrë të vazhdueshme transaksione parash nga 110 mijë deri në 130 mijë denarë nga Komuna e Çairit. Portalb-i zbuloi se në fakt pas kësaj kompanie qëndron kafiteria në Çair që shërben edhe ushqim të shpejtë, e njohur si “1sh”, që është në pronësi të Kaltrina Zekolli Shaqiri, zëvendësministre nga radhët e Lëvizjes Demokratike.

Klienti më i rregullt i këtij lokali në vitet e fundit ka qenë stafi nga Komuna e Çairit. Shuma të mëdha parash janë harxhuar në “1sh” nën arsyetimin e shërbimeve me kafe dhe ushqim të shpejtë, por në mënyrë jotransparente dhe pa konkurrencë.

Afërsisht 30 mijë euro apo 1 milion e 800 mijë denarë ka inkasuar kjo kafiteri nga taksapaguesit e Çairit për katër vite e gjysmë. Portalb-i grumbulloi dhe kalkuloi të gjitha këto transaksione.

Marrëveshje sy-më-sy: Çfarë thotë ligji?
Pagesat për këtë kafiteri, Komuna e Çairit i ka kryer nga kontoja për reprezentacion, mjete të cilat planifikohen për çdo vit në buxhetin bazë.

Ligji për prokurime publike zbatohet vetëm nëse vlera e shërbimit tejkalon disa pragje. Sipas nenit 40, paragrafi 1 i këtij ligji, në sektorin publik klasik (ku hynë edhe komunat), dispozitat e ligjit duhet të zbatohen në procedura për shërbime vlera e të cilave është 1 mijë euro apo më e lartë.

Kjo do të thotë se përderisa vlera e shërbimeve për reprezentacion (katering, shërbime të restorantit) për një vit apo për një marrëveshje tejkalon shumën prej 1 mijë euro, komuna është e obliguar që të zbatojë procedurë për prokurim publik, sipas ligjit.

Vetëm gjatë vitit 2024, Komuna e Çairit ka ndarë 825.410 denarë apo 14.416 euro për këtë kafiteri. Përpos kësaj, ka pasur raste kur vlera e parave të lëshuara për një ditë ka tejkaluar vlerën prej 1 mijë eurove, edhe atë 2 mijë euro për një ditë.

Ligji gjitashtu, në nenin 40, paragrafi 3 në mënyrë decide ndalon ndarjen e prokurimeve, “Organi nënshkrues nuk mund të bëje ndarje të porosive në disa të posaçme, në mënyrë që të ulet vlera e porosisë dhe të mos zbatohet ky ligj”. Nëse ekziston nevojë e vazhdueshme për një shërbim, komuna duhet ta vlerësojë shumën vjetore dhe në bazë të asaj të zbatojë procedurë përkatëse të prokurimit publik.

Sipas kësaj, Komuna e Çairit ka vepruar në kundërshtim të dispozitave të këtij ligji si dhe parimeve bazë të cilat janë transparenca, konkurenca, trajtimi i barabartë dhe mosdiskriminimi i operatorëve ekonomik, në këtë formë, pamundësohet që bizneset tjera të konkurojnë për ofrimin e shërbimeve.

Pronarja e “1sh”, zëvendësministre, bashkëpartiake e kryetarit të komunës dhe njeri i afërt i Izet Mexhitit
Kaltrina Zekolli Shaqiri është pronare e kafiterisë me ushqim të shpejtë ‘1sh’. Ajo fitoi pronësinë e plotë pasi bashkëshorti i ndërroi jetë në vitin 2022 ndërsa aktualisht është zëvendësministre e Transportit, e propozuar nga Lëvizja Demokratike.

Related posts

Rama takon senatorët e SHBA, rikonfirmojnë përkushtimin ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

Gjyla Halili

Sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj Konjufcës për gazin lotsjellës

Gjyla Halili

MEXHITI: PËRSE HESHTË ARTAN GRUBI PËR AKUZAT SE PO PUNON PËR TA KTHYER GRUEVSKIN

admin