AKTUALE

Qeveria shpall rilindje ekonomike, qytetarët pyesin: “Po ku është?”

Banner

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka dalë sot me një deklaratë optimiste duke theksuar se ekonomia e vendit po përjeton rilindje, ndërsa rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ka arritur në 3.4% në tremujorin e parë të vitit 2025, sipas të dhënave preliminare të Entit Shtetëror të Statistikës, shkruan Flaka.

Sipas ekzekutivit, Maqedonia është tani në grupin e pesë shteteve me rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë, krahas Irlandës, Danimarkës dhe Polonisë. Qeveria e cilëson këtë si dëshmi të qartë të një transformimi ekonomik dhe të politikave të suksesshme në interes të qytetarëve.

“Shteti është në rrugën e ndryshimeve. Rritja dhe zhvillimi ekonomik janë prioriteti ynë më i madh,” thuhet në deklaratë.

Megjithatë, reagimet në opinion nuk kanë munguar. Qytetarë të shumtë shprehen se nuk e ndjejnë këtë rritje në jetën e përditshme.

“Po të ishte 3.4% më shumë në xhepin tim, do ta ndjeja,” thotë një qytetar i Strugës në rrjetet sociale.

“Statistika është e bukur, po buka është më e shtrenjtë,” komentoi një tjetër në rrjetet sociale.

“Unë jam në tremujorin e tretë të mbijetesës,” shton një tjetër komentues me ironi, që siç duket është pensionist.

Ekonomistë thonë se rritja e PBB-së nuk përkthehet automatikisht në përmirësim të standardit jetësor, sidomos nëse rritja ndodh në sektorë që nuk prekin drejtpërdrejt qytetarët, si ndërtimtaria apo eksportet industriale të huaja.

Ndërkohë, çmimet e produkteve bazë, qiratë dhe faturat vazhdojnë të rriten. Sipas disa analizave, shporta mujore vazhdon të jetë barrë për shumicën e familjeve, ndërsa pagat në sektorin publik dhe privat nuk po ndjekin të njëjtin ritëm.

Qeveria nga ana e saj paralajmëron një “transformim të plotë” dhe beson se rezultatet do të ndihen “shumë shpejt”, ndërkohë që qytetarët mbeten me shpresën… dhe faturat

Banner

Related posts

Mark Gjonaj thirje komunitetit shqiptarë në Amerikë për regjistrim

Gjyla Halili

EPOPEJA e UÇK-së, Grubi: Jasharajt janë dëshmi e pastërtisë së kauzës kombëtare për lirinë e Kosovës

Gjyla Halili

Bashkë për fitoret e rradhës! Ahmeti priti në takim Lëvizjen e Turqëve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci

Gjyla Halili