AKTUALE

Ekrem Bardha, mbrojtës i shenjtë i kauzës kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Dr. Elmi Berisha*

Me një emocion të thellë dhe me një respekt të pafund, i përulemi me respekt figurës së shquar të njërit prej bijve më të ndritur të kombit tonë – Ekrem Bardhës, veprimtarit të palodhur, humanistit të përkushtuar, patriotit vizionar dhe shqiptaro-amerikanit të epokës sonë, i cili në këtë përvjetor kremton plot 94 pranvera jete të ndritur. Ekrem Bardha është një emër që ndriçon si fanar mbi historinë tonë kombëtare, një figurë që ka mishëruar më së miri shpirtin e mërgatës sonë në Amerikë – një shpirt i pathyeshëm, krenar, i organizuar, frymëzues dhe gjithmonë i gatshëm për të sakrifikuar gjithçka në shërbim të kombit dhe atdheut. Ai ka qenë dhe mbetet një arkitekt i paepur i lobimit diplomatik në Uashington, një zë i fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve në çdo institucion amerikan, një njeri që ka ditur t’i flasë Amerikës në gjuhën e vlerave, demokracisë dhe të drejtës historike të një populli që meriton lirinë.

Në secilën betejë për lirinë dhe afirmimin e trojeve tona etnike, emri i Ekrem Bardhës është i gdhendur si një mbrojtës i shenjtë i kauzës kombëtare, një ambasador i palodhur i dinjitetit shqiptar dhe një strateg i urtë i përfaqësimit të drejtë të interesit tonë në diasporë.
Me humanizmin e tij të rrallë, me ndihmën e pakursyer për çdo iniciativë kulturore, shoqërore e kombëtare, me mbështetjen financiare dhe morale për çdo projekt që kishte në thelb identitetin tonë, Ekrem Bardha ka lënë një trashëgimi të pasur që do të jetojë përjetë në kujtesën tonë kolektive.

I lindur në Radanj të Leskovikut, por i lidhur me shpirtë e zemër me të gjitha trojet etnike shqiptare, Ekrem Bardha nuk e ndau kurrë Kosovën nga zemra, ashtu siç nuk ndau asnjëherë asnjë cep të atdheut të tij. Ai punoi, veproi dhe loboi për Kosovën me po aq dashuri, pasion dhe vendosmëri sikurse për vendlindjen e tij të dashur. Për të, kombi ishte i shenjtë, dhe çështja shqiptare – amanet brezash. Në zemrën e tij, Kosova ka pasur vend të veçantë, të shenjtë, dhe kjo dëshmohet fuqishëm në veprën e tij publicistike madhore – “E VËRTETA: PAVARËSIA E KOSOVËS, AMERIKA DHE DIASPORA” – një testament historik dhe një gur themeli në arkivat e historisë dhe lavdisë sonë kombëtare.

I dashur Ekrem, për më shumë se tre dekada, më ke nderuar me miqësinë tënde dhe më ke frymëzuar me veprën tënde. Sot, në këtë ditë të bekuar të ditëlindjes tënde të 94-të, unë të falënderoj nga zemra për çdo kontribut, për çdo veprim, për çdo fjalë, për çdo përkrahje që i ke dhënë Vatrës dhe gazetës Dielli – këtyre dy shtyllave të forta të kombit në mërgatë.
Dhe sot, kur Vatra ecën krenare në mileniumin e ri, me hapa të sigurtë, me mendje të hapur dhe me mision të pandalshëm, është e pamundur të mos përmendim rolin dhe frymën që ti, Ekrem, i ke dhënë kësaj Federate. Nën dritën e kontributit tënd dhe të brezit tuaj, Vatra ka rilindur, është forcuar, është modernizuar dhe ka mbetur shtylla kurrizore e organizimit kombëtar në SHBA.

Sot, Vatra është porta e shpirtit kombëtar që nuk mbyllet kurrë, platforma e vetëdijes historike, forca e unifikimit të shqiptarisë në Amerikë. Me gazetën Dielli – këtë tribunë të vërtetës dhe të drejtës, e cila mbetet zë i fuqishëm i shqiptarit krenar dhe dinjitoz në SHBA – ne vijojmë misionin që ti e bëre të pavdekshëm.
Prandaj, në këtë përvjetor të 94-të të lindjes tënde, me emocion të thellë dhe respekt të pakufishëm, unë, në emër të Federatës Panshqiptare VATRA, të shpreh mirënjohjen më të thellë dhe falënderimin më të përzemërt për gjithçka që je, për gjithçka që ke bërë dhe për gjithçka që simbolizon për kombin tonë.
Gëzuar ditëlindjen e 94-të, legjendë e gjallë e mërgatës shqiptare, patriot i pavdekshëm dhe krenari kombëtare – Ekrem Bardha! Zoti të bekoftë Ty, familjen dhe veprën tënde!

*Fjala e mbajtur në Michigan në ceremoninë e nderimit të Ekrem Bardhës, 23 Maj 2025.

Related posts

Kryetari Forumit rinor Çair- Art Hajrullahu ndez motorët për ndryshime në Çair

Gjyla Halili

Angellovska-Bezhoska: Përfshirja financiare është rritur dukshëm në vitet e fundit

Gjyla Halili

Presidentja Siljanovska-Davkova nënshkroi dekrete për tërheqjen e nëntë ambasadorëve nga detyra

Gjyla Halili