Vizita e Ambasadorit të Republikës së Koresë, z. Lee Seung-buhm, në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe përmbajtësore, ku u diskutuan një sërë çështjesh me interes të ndërsjellë dhe potencial për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Në fokus të bisedës ishin marrëdhëniet diplomatike, ku u shpreh mirënjohje për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Koresë së Jugut, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Palët ritheksuan përkushtimin për forcimin e dialogut diplomatik dhe zgjerimin e bashkëpunimit institucional.
Diskutimi vijoi me bashkëpunimin ekonomik dhe investimet, ku u theksua roli i Koresë së Jugut si një lider global në teknologji, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ambasadori Berishaj i shprehu gatishmërinë e institucioneve kosovare për të mirëpritur investitorët dhe kompanitë koreane, veçanërisht në fushat si teknologjia e informacionit dhe komunikimit (TIK), energjia e ripërtëritshme, infrastruktura dhe bujqësia. U vlerësua gjithashtu rëndësia e organizimit të forumeve të përbashkëta të biznesit dhe nxitjes së lidhjeve ndërmjet komuniteteve ekonomike.
Në aspektin e arsimit dhe shkencës, u theksua rëndësia e programit Global Korea Scholarship (GKS), që ofron mundësi të vlefshme për studentët nga Kosova. Ambasadori Lee bëri të ditur se për këtë vit Kosovës mund t’i ndahen pesë bursa në kuadër të programit GKS, gjë që u mirëprit me falënderim nga Ambasadori Berishaj, duke theksuar se këto bursa përfaqësojnë një investim në të ardhmen e të rinjve kosovarë dhe në marrëdhëniet afatgjata ndërmjet dy vendeve. Palët u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit ndërakademik dhe nxitjen e kërkimit shkencor, inovacionit dhe shkëmbimeve rinore.
Në fushën e kulturës dhe diplomacisë publike, u diskutua për organizimin e “Ditëve të Kulturës Koreane” në Kosovë, si dhe për promovimin e kulturës kosovare në Korenë e Jugut. Të dy ambasadorët u shprehën të gatshëm për të mbështetur nisma kulturore të ndërsjella dhe për të nxitur bashkëpunimin në art, muzikë dhe turizëm.
Në fund të takimit, u trajtuan edhe çështjet e bashkëpunimit rajonal dhe global, përfshirë përkushtimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në çështje globale si ndryshimet klimatike, siguria kibernetike dhe transformimi digjital. Ambasadori Berishaj kërkoi mbështetjen e mëtejshme të Koresë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si UNESCO, OBSH dhe të tjera relevante.
Vizita e Ambasadorit Lee Seung-buhm në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb u vlerësua si një hap i rëndësishëm në drejtim të forcimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy shteteve.