Lojërat elektronike nuk janë më vetëm argëtim – ato janë kthyer në një industri globale miliardëshe që gjithnjë e më shumë po tërheq të rinjtë si profesionistë. Edhe në Maqedoninë e Veriut, kjo industri po njeh një rritje të ndjeshme, ku gjithnjë e më shumë të rinj jo vetëm që luajnë për zbavitje, por edhe fitojnë mirë nga ky pasion.
Sipas Boban Totovskit, kryetar i Federatës Maqedonase të E-sporteve, në vend ka lojtarë që garojnë në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare. E-sporti ka nisur në vitin 2000, ndërsa gara e parë zyrtare ndërkombëtare është mbajtur në vitin 2005. Totovski thekson se dy lojtarë nga Maqedonia janë në top 10 në botë, si për nga suksesi, ashtu edhe për nga fitimet.
“Përfitimet mujore për gjysmë-profesionistët dhe profesionistët në këtë fushë variojnë nga 1.500 deri në 20.000 euro. Profesionistët kanë regjim të veçantë ushqimi, stërvitje dhe madje edhe psikologë në ekipe,” thotë Totovski.
Megjithatë, ai vëren se shumica luajnë vetëm për zbavitje, ndërsa vetëm rreth 10-15 persona në vend janë aktualisht lojtarë profesionistë me kontrata. Edhe pse që nga viti 2021 e-sporti është njohur si sport zyrtar në Maqedoni, shteti ka ofruar shumë pak mbështetje financiare.
Grupi më aktiv i lojtarëve është ai mes moshave 15 dhe 25 vjeç, ndërsa ndër lojërat më të luajtura janë Counter Strike, Dota 2, Valorant dhe League of Legends.
Gjithsesi, Totovski thekson se për të filluar nuk është e domosdoshme pajisje shumë e shtrenjtë – mund të filloni edhe me një kompjuter, telefon apo tablet të zakonshëm.
Bota e gaming-ut po evoluon vazhdimisht, duke u bërë gjithnjë e më shumë një zgjedhje serioze për karrierë, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për të rriturit që prej fëmijërisë janë rritur me këtë pasion. Ndërsa industria rritet, pritet që në dekadën e ardhshme t’i bashkohen edhe qindra miliona përdorues të rinj.