AKTUALE

Bajram Rexhepi: Servilosjen e disa shqiptarëve në këtë qeveri pa legjitimitet do ta vuajnë të gjithë shqiptarët!

Në intervistën e zhvilluan në Televizionin Koha, me gazetarin Besian Leka në “On Time”, Bajram Rexhepi – Nënkryetar i BDI-së, ka shpalosur vizionin e subjektit më të madh politik shqiptar, opinionet tij si funksionar i lartë i BDI-së dhe sfidat e aktualitetit politik të nivelit nacional dhe lokal.

Tashmë është fakt largimi i Taravarit dhe “Aleancës për shqiptarët” (ASh), ata nuk janë pjesë e pozitës e as e qeverisë, çfarë do të thotë kjo për Bashkimin Demokratik për integrim dhe qytetarët, ishte çështja e parë e ngritur, për të cilën z. Rexhepi theksoi se ka pritur që ky largim të ndodh më herët, ngase ASh ishte nënshkruese e “none paper” të famshëm, me të cilin obligoheshte se nuk do të bëhet pjesë e qeverisë e cila nuk ka ndërmend të bëj ndryshime kushtetuese dhe të çbllokojë procesin integrues të RMV.

“Kemi qeveri e cila ngatërron Brukselin me Beogradin. Kemi qeveri e cila ka në brendinë e saj një kryeministër që Kosovën e quan akoma pjesë të Serbisë, që ftojnë një ultranacionalist serb Dodik që vije në Shkup dhe thur lavde për presidentin Putin, qorton NATO-n, qorton BE-në, dhe aplaudon e gjithë qeveria në prezencë të tij”, theksoi Rexhepi dhe shtoi se në këtë atmosferë nuk ishte ASh aq komode, sepse në gjirin e saj ka shumë intelektualë dhe priteshin zhvillime të tilla politike.

Z. Rexhepi e vlerëson se kjo qeveri bën atak të vazhdueshëm mbi Marrëveshjen e Ohrit, mbi shtyllat kryesore të kësaj marrëveshjeje, kemi çdo ditë zhbërjen e gjuhës shqipe nëpër të gjitha institucionet, largimin gradual të përdorimit të gjuhës shqipe nga shumë institucione.

Ai shfaqi brengën edhe për largimin dhe zvogëlimin e punonjësve shqiptarë në institucionet e shtetit, megjithëse BDI ka reaguar çdo ditë ndaj këtyre fenomeneve të dëmshme të kësaj qeverie.

Fuqia politike e përfaqësuesve të disa komuniteteve e posaçërisht atij shqiptar, është minimizuar ose është inekzistent dhe është prishur balansi etnik, theksoi Bajram Rexhepi, duke shtuar se duhet të jenë këto fakte relevante për largimin e ASh nga qeveria.

Lidhur me gjendjen e shqiptarëve, atëherë kur ka qeverisur BDI-ja dhe tani, gjatë qeverisë së VLEN për 9 muaj, z. Rexhepi potencoi se për një vit, shqiptarët ballafaqohen me një vit ogurzi, të deshqiptarizimit të të gjitha institucioneve, apo deshqiptarizimit të shtetit, njëherësh rikujtoi sloganin e partive maqedonase, “ta kthejmë Maqedoninë te ju”, etj. duke e kamufluar kinse luftën kundër BDI-së, sot ballafaqohemi me një VMRO tepër arrogante, cinike, poshtëruese.

Nënkryetari i BDI-së, theksoi se është një strukturë e shqiptarëve në pushtet të nënshtruar plotësisht, të servilosur, gjë e cila nuk do ta vuajnë vetëm ata servilë, por, të gjithë shqiptarët, duke e ilustruar me qëndrimin e Niçes, rreth raportit të skllavit me skllavopronarin dhe doktrinën e nënshtrimit vullnetar.

Lidhur me hamendësimet e pozitës se reagimet e BDI-së bëhen vetëm pse ata nuk janë në pushtet, se nuk po bëhet deshqiptarizimi por debdizimi i institucioneve, z. Rexhepi ceku faktin se kur VMRO kërkoi largimin e BDI-së për të bërë ndryshime kushtetuese, të njëjtën ditë, BDI ofroi largimin e menjëhershëm nga institucionet dhe postet ekzekutive të ministrave, me kushtin që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe të çbllokohet procesi integrues.

Ai theksoi se BDI nuk ishte e dhënë pas pushtetit, por, pushtetin ia dha vota e qytetarëve, duke shtuar se përkundër fitores, një pjesë e të servilosurve prishi balansin etnik.

“BDI nuk e do pushtetin pa vullnetin e shqiptarëve, se nuk ka ndodhur asnjëherë dhe nuk do të ndodh”, theksoi Rexhepi, duke potencuar se nëse nuk na votojnë shqiptarët, nuk do të jemi pjesë e qeverisë.

Ai ceku fuqinë elektorale të VMRO-së më herët e cila kishte më shumë deputetë se sa ka aktualisht, por, BDI nuk është nënshtruar, duke qenë partner në vendimmarrje, larg më mirë se sa është gjendja sot. Z. Rexhepi theksoi se kjo praktikë aktuale politike nuk do të vazhdojë në të ardhmen.

Z. Bajram Rexhepi tha se faktori shqiptar do të përfaqësohet në të ardhmen denjësisht dhe siç duhet, njëherësh, pret reagime negative ndaj kësaj qasjeje qeverisëse edhe nga blloku maqedonas, sepse, mbi 70% e përkrahin procesin integrues të RMV në BE dhe shpreson që kjo strukturë të fillojë të punojë në ndryshimet kushtetuese, hapjen e kapitujve me BE-në.

Për BDI-në, integrimi në BE është vlerë e plotë e këtij subjekti politik shqiptar, fundi i fundit, theksoi Rexhepi, atij civilizimi ne i takojmë.

Tejkalimi i sfidës nga pala maqedonase, tejkalim i vetvetes, kur pritet të ndodh, eksodi i qytetarëve pa dallim, është çështje për të cilën z. Rexhepi theksoi se RMV ka bllokadë totale me BE-në, asnjë vizitë në Shkup të asnjë diplomati të BE-së, përveç Hungarisë. Prishje e raporteve edhe me Bullgarinë, edhe me Greqinë, si ushqim për strukturën nacionaliste maqedonase, dhe theksoi se pritet që zgjedhjet do të bëhen njëherësh, edhe ato lokale edhe qendrore, për tu parë edhe një herë se kush e ka legjitimitetin e përfaqësimit të faktorit shqiptar.

Pas zgjedhjeve lokale, potencon Rexhepi, pritet vetëdijesimi i faktorit politik maqedonas për një gjë të vogël, me futjen e bullgarëve në Kushtetutë, me çka pritet hapja e kapitujve për integrim në BE.

Ai dha përkufizimin se kasta qeverisëse është popullsite, popullizëm që bëhet për përfitime politike, populizma që shumë shpejt do të sjellin efekte negative si te standardi jetësor, rritja ekonomike, pa asnjë projekt, pa investime të huaja, pa prodhim industrial, etj.

Lidhur me rritjen e gjuhës së urrejtjes në festën kombëtare dhe në stadiume, z. Rexhepi tha se çdo herë janë angazhuar për shtensionime dhe të mos kalojnë përmasat e pamundësisë së kontrollit të këtyre fenomeneve, duke cekur rreziqet e tensioneve në rajon dhe globalisht.

Lidhur me praninë e shqiptarëve në pozitën kuvendore ku janë vetëm 9 shqiptarë, ndërsa opozita 23, z. Rexhepi theksoi se zgjedhjet nacionale pas zgjedhjeve lokale janë imperativ, situatë e paqëndrueshme politike, në veçanti në kampin shqiptar. Ai nuk beson se nga Fronti evropian mund të ketë deputetë që largohen drejt pozitës njëherësh shpreson se do të ketë takime me Taravarin, ndoshta edhe bashkëpunim, si produkt i takimeve dhe negociatave.

BDI aktualisht nuk ka marrëveshje me Taravarin për zgjedhjet lokale, theksoi Rexhepi, por ato nuk i përjashton pas takimeve dhe marrëveshjeve që dalin nga ato takime. Fronti evropian do të forcohet edhe më shumë, ceku ai. Është herët të flitet për strategjinë e zgjedhjeve lokale, dhe kur të vije koha, do të shpalosen edhe kandidaturat për zgjedhje lokale.

z. Rexhepi e mohoi se është kandidati për Tetovën, madje tha se është tepër herët. Së paku 100 personalitete në Tetovë mund të jenë kandidat të BDI-së për Tetovë, dhe shtoi se me profesionist që e duan Tetovën, do të punojnë për të mirën e përgjithshme, si ekip. Nuk do të jetë me rëndësi kush është i pari, ekipi ka rëndësi të jetë i fuqishëm.

Kjo strukturë që udhëheq Tetovën, qytetin e shohin si plaçkë, mundohen gjithçka të plaçkitin, me skandale të pafundme, tha Rexhepi, duke e ilustruar me pronën të cilën firma në falimentim e bleu tokën me 7 mijë euro, e shiti pesë milion euro. Njerëzit që e duan qytetin e vet, nuk e bëjnë këtë. Po ashtu, vuri në pah devalvimin e sektorëve jetik të Tetovës, me urbanizmin, planifikimin hapësinor, ndërtime pa leje ndërtimi, Bulevardi po ndërtohet pa leje ndërtimi, ndikimin e oligarkëve në planifikim, etj. Një nga anomalitë që potencoi Rexhepi, ishte parkingu që bën afarizëm me humbje.

Nëse e vlerësojnë organet partiake që është zgjidhja më e mirë, z. Rexhepi theksoi se do e pranon kandidimin për kreun e komunës së Tetovës.

Në pyetjen e gazetarit, hipotetikisht nëse do të ishte Kryetar i Tetovës, cilat veprime imediate do t’i ndërmerrte, z. Rexhepi potencoi se do ta përgatiste planin zhvillimor të Tetovës, real dhe do ta bënte ndryshimin. Mafia urbane nuk do të menaxhonte me lejet ndërtimit por profesionistët, larg kaosit aktual. Ai ceku se nuk do të lejonte parazitë në komunë dhe janë barrë për qytetin dhe devijimet tjera, si humbjet e ndërmarrjeve publike, etj.

Ndërsa, lidhur me krahasimet e qeverisjes, para Kasamit dhe tash, z. Rexhepi theksoi se riparimi i rrugëve nuk është ndërtim i rrugëve, pastaj numëroi rrugët e ndërtuara gjatë katër vjeçarit të parë. Më keq se sot, komuna e Tetovës kurrë nuk ka qenë asnjëherë, tha ai dhe shtoi se mandati i kryetarit është të krijojë perspektivë për komunën, për investimet, vendet e reja të punës, arsim për nevojat e punës dhe sektorin privat, ngritjen e standardit, etj.

Lidhur me ngecjet në Tetovë, z. Rexhepi theksoi se udhëheqja komunale e ka vënë komunën në shërbim të partisë së tyre politike, pa plan gjeneral urbanistik, paga për ata që fare nuk punojnë në komunë, ngecje e zhvillimit të turizmit, turizmin malor si shtytës i madh për ekonominë e komunës, me shumë leje për hotele dhe resurset tjera, për sportistët në Sharr. Për më keq, komuna në parkun nacional Sharr, as nuk i mbledh mbeturinat.

z. Rexhepi shfaqi brengën ndaj apatisë që sundon në komunë dhe ikja e të rinjve të cilët nuk shohin perspektivë në Tetovë. Çmimet e banesave janë rritur, theksoi Rexhepi, por ka disa faktor, mungesa e ndërtimeve me standarde, inflacioni, trend i rritjes së kërkesës së gurbetxhive, vlerësimin duhet ta bëjnë profesionistët dhe ka zgjidhje për këtë çështje.

“Udhëheqësia aktuale në Tettove, nuk do të fitojë. Kushdo tjetër do të fitojë, ndërsa lidhur me ndikimin e partive maqedonase në rezultat, z. Rexhepi i sheh si kalkulime të dëmshme për qytetin, me program zhvillimor për të gjithë, edhe për qytetarët maqedonas, me program atraktiv.

“Programi ynë zhvillimor do të jetë aq atraktiv sa nuk do të ketë nevojë për kalkulime dhe koalicione të tilla. Qytetarët do i njohin, përfundimisht, do të ndërtohet Tetova si duhet”, theksoi nënkryetari i BDI-së, Bajram Rexhepi dhe siguroi se do të ketë transparencë maksimale, pavarësisht se cili kandidat do të jetë për kryetar të Tetovës, në komunikim të përditshëm me gazetarët, me njerëzit, në vijë të njëjtë me të gjitha nevojat qytetare dhe unë ju garantoj”, theksoi në fund të intervistës me gazetarin Besian Leka, Televizioni Koha.

Related posts

IMAMI I QABES SË BEKUAR SHEJH MAHIR MUAJKALI MYSAFIR I REISUL ULEMASË H. HFZ. SHAQIR EF. FETAI DHE BFI, VIZITË NË MAQEDONINË E VERIUT

Gjyla Halili

Myftinia e BFI Tetovë e ftuar në ekspozitën “NotTheSame”

Gjyla Halili

Kultivuesit e mollëve në Resnjë kanë dorëzuar rreth 2400 kërkesa për dëme nga moti i ligë

Gjyla Halili