Ngacmuesit e botës kanë arritur të thyejnë shpirtin e udhëheqëses tonë më të kujdesshme, shkroi në një editorial të saj gazeta neo–zelandeze “New Zealand Herald”. Kryeministrja Jacinda Ardern habiti botën javën e kaluar kur njoftoi dorëheqjen e saj përpara zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen këtë vit.
E zgjedhur në vitin 2017, në moshën 37-vjeçare, si kryeministrja më e re në botë, Ardern e mori detyrën me një entuziazëm të madh, të sintetizuar në moton: “Le ta bëjmë këtë!”. Duke ofruar “përqafime dhe përshëndetje formale”, ajo predikoi dashamirësi në qeverisje. Por 5 vite sulme në internet – nga ata që aktori Sam Neill i quajti një “grumbull ngacmuesish dhe mizogjenësh” – ia dolën që ta lodhin. Dhe më shumë se 5 vite më vonë Ardern është e rraskapitur dhe e ezauruar nga nervat.
Muajin e kaluar ajo u kap me mikrofonin hapur duke e quajtur “arrogant” një ligjvënës neo-zelandez”. Ardern nuk e fajësoi për largimin turmën e kritikëve të saj në internet. Ajo tha vetëm kaq: “Unë e di se çfarë kërkon kjo punë, dhe e di që nuk kam më mjaftueshëm energji për ta bërë atë në mënyrën e duhur”.
Por dorëheqja e saj e hershme “është një dëshmi rrëqethëse e fuqisë së negativitetit”. Ardernka shumë arsye për të qenë krenare me veten, shkruan Matthew Knott në gazetën australiane “The Age”. Në një epokë të konservatorëve të dorës së fortë si Donald Trump në SHBA dhe Jair Bolsonaro në Brazil, ajo “u dallua” si një “udhëheqëse e re progresive globale” duke e ngritur “në lartësi të paprecedenta statusin global të Zelandës së Re”.
Shtatzënë gjatë muajve të parë në detyrë, ajo hoqi dorë nga pushimi i lehonisë, duke i dhënë gji fëmijës teksa ishte në punë. Dhe rrezatonte qetësi edhe në mesin e krizave. Kur një person i armatosur vrau 51 besimtarë në 2 xhami në qytetin e Christchurch në vitin 2019, Ardernngushëlloi besimtaret myslimane, të veshura me hixhab, dhe më pas mori shumë shpejt masa për të ashpërsuar ligjet mbi mbajtjen e armëve.
Një vit më vonë u shfaq pandemia, dhe ajo mbylli menjëherë kufijtë e Zelandës së Re, duke e mbajtur virusin larg për muaj të tërë. Politika e saj e “vijës së ashpër” për zero raste me Covid-19, bëri që Zelanda e Re të kishte një nga nivelet më të ulëta në botë të vdekjeve nga Covid-19. Megjithatë ajo qasje shkaktoi një reagim të fortë nga kundërshtarët e vaksinave dhe popullariteti i saj ra ndjeshëm.
Megjithatë, mishërimi prej saj i udhëheqjes “së dhembshur” e bëri atë një personazh të famshëm global. Adhurimi prej heroine solli edhe rënien e Ardern mendon Ross Clark në një artikull në britaniken “The Telegraph”. Ajo u miklua nga buja e madhe rreth saj, duke mbetur e verbër ndaj gabimeve “të vetë–shkaktuara”.
Në një vend ku bujqësia është sektori kryesor, ajo zhvilloi një “luftë kundër fermerëve” me “axhendën e saj ekstreme të ndryshimeve klimatike”, dhe më pas “i mungonte ashpërsia” për të luftuar kundër reagimeve të parashikueshme.
E mësuar me lavdërimet universale, Ardern dha dorëheqjen sepse nuk mund të “përballonte dot më rrëzimin e aureolës së saj”. Megjithatë, nuk ishin “kritikat e vlefshme” ato që në fund e rrëzuan shkruan Michelle Duff në Stuff.co.nz. Përgjegjës ishte një “ekosistem konspirativ” në internet që e cilësoi atë si një Djall, dhe që nxiti një ortek “abuzimesh të poshtra dhe toksike”, ku përfshiheshin një mori kërcënimesh përdhunimi, torture dhe vrasje.
Sa herë që dilte në publik, makina e saj “ndiqej nga protestuesit që e quanin ‘tradhtare’. Edhe pasi u forcuan masat e sigurisë “siguria e saj ishte e pamundur të garantohej. Madje ajo u detyrua të anulonte dasmën e saj. Historia e udhëheqëses së re të Zelandës së Re, në fillim shumë premtuese, pati një fund “të frikshëm”. Cila grua do të guxojë tani që të kërkojë poste të larta? /The Week