Më 3 maj 2025, në EMS Halle – Emsdetten, u zhvillua një ngjarje e jashtëzakonshme e organizuar nga Xhamia Ikra, me moton: “Koha për veprim – Ndihmo blerjen e xhamisë.” Në këtë event madhështor morën pjesë mbi 1000 mysafirë nga diaspora dhe trojet tona.
Pjesëmarrës në këtë tubim ishte edhe drejtori i sektorit për Diasporë pranë Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Mr. Mafiz ef. Rustemi, i cili përcolli selamet dhe uratat e Reisul Ulemasë H. Hfz. Shaqir ef. Fetahi dhe të gjithë besimtarëve nga vendlindja, me lutjen që ky aksion të jetë i bereqetshëm dhe që shumë shpejt ky xhemat të gëzojë xhaminë e re.
Në mesin e të ftuarve ishin edhe figura të njohura të thirrjes islame dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme: z. Mensur Halili, Kryetar i Unionit të Qendrave Islame në Gjermani, z. Ekrem Simnica, Drejtor për Diasporë në kuadër të BIK-ut, ambassadori i Maqedonisë së Veriut në Gjermani z. Ylber Sela, si dhe shumë hoxhollarë të tjerë që japin kontribut të çmuar në përhapjen e vlerave islame dhe bashkimin e komunitetit në diasporë. I gjithë programi u moderua me dinjitet nga imami i njohur i Willit, Mr. Bekim ef. Alimi.
Falënderime të veçanta për imamin e xhamisë, hoxhën Sedat ef. Shabani, kryetarin e xhamisë, z. Elvir Jellaj, si dhe të gjithë pjesëmarrësit dhe donatorët që e bënë këtë ngjarje të jetë një hap konkret drejt realizimit të një ëndrre të përbashkët – blerjes së Xhamisë Ikra.
