Derisa kualifikimi i Llapit e Ballkanit është pritur, Feronikeli ka befasuar duke eliminuar Trepçën ’89.
Llapi ka mposhtur Lirinë në udhëtim me rezultat 3-2 për të kaluar në çerekfinale
Liria kaloi e para në epërsi me golin e Liridon Fetahajt të shënuar nga penalltia në minutën e 18-të. Por epërsia e tyre zgjati vetëm tre minuta, pasi kapiteni i llapjanëve Kushtrim Shabani realizoi në minutën e 21-të për t’i barazuar shifrat në 1-1.
Epërsinë e parë Llapit në këtë sfidë ia dha Francisco Rivera me një gol spektakolar nga gjysma e fushës 1-2 kur realizoi katër minuta para fundit të pjesës së parë.
Llapi e nisi mirë pjesën e dytë, kur vetëm pas dy minutash lojë Drilon Fazliu realizoi për 1-3. Krejt në fund vendasit realizuan edhe golin e dytë, por që Llapi arriti ta menaxhoj mirë rezultatin dhe kaloi tutje në çerekfinale.
Fitore ka marrë edhe Ballkani që ka mposhtur skuadrën nga liga e parë A&N me rezultat të pastër 2-0. Pasi pjesa e parë përfundoi pa gola, Ballkani në fund të ndeshjes realizoi dy gola për të kaluar tutje.
Feronikeli ka arritur të eliminojë Trepçën ’89 pasi e ka mposhtur me rezultat minimal 1-0 falë golit të Susurit nga pjesa e parë.
Ndeshja mes Flamurtarit dhe Vushtrrisë ka përfunduar me rezultat baras 1-1 dhe skuadra që do të kaloj në çerekfinale do të mësohet pas kohës shtesë.