Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka refuzuar të dekretojë një ligj kontrovers që parashikonte dhënien me qira për 99 vjet të Plazhit të Madh të Ulqinit një biznesmeni nga Emiratet e Bashkuara Arabe, për ndërtimin e objekteve turistike dhe banimi.
Ndërsa Milatoviq ka nënshkruar Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ekonomik midis Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ai ka refuzuar pjesën që ka të bëjë me turizmin dhe pasuritë e paluajtshme. Presidenca bëri të ditur se vendimi u mor për shkak të “shumë çështjeve të hapura lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes”.
Këto ligje u miratuan më 23 prill në Kuvendin e Malit të Zi, por hasën kundërshtim të fortë, sidomos nga deputetët shqiptarë, të cilët ngritën shqetësime për transparencën dhe ndikimin afatgjatë që një marrëveshje e tillë do të kishte në pasurinë natyrore dhe pronën publike.
Ndërkohë, investitori arab Mohamed Alabar, i njohur për projektet gjigande në Lindjen e Mesme, kishte shprehur interes për investime të mëdha në Mal të Zi, përfshirë edhe zonën e Plazhit të Madh në Ulqin. Pas refuzimit të dekretit, disa komuna malazeze janë shprehur të hapura për të pritur investime të tilla, duke theksuar se çdo projekt duhet të jetë transparent dhe në shërbim të komunitetit lokal.
Kryetarët e komunave kanë deklaruar se janë të gatshëm të mirëpresin jo vetëm Alabarin, por çdo investitor serioz që respekton ligjin dhe garanton përfitime reale për qytetarët dhe zhvillimin ekonomik të zonave përkatëse.
Kjo ngjarje ka rikthyer në vëmendje debatin për ruajtjen e pasurive publike, përballë investimeve të huaja që shpesh shoqërohen me kritika për mungesë transparence dhe rrezik për interesat afatgjata të vendit.