“Nuk do të falim, drejtësi për engjëjt tanë duhet të ketë”, “drejtësia selektive është papërgjegjshmëri”, “nuk na vret zjarri, por korrupsioni” ishin mbishkrimet në transparentet të cilat në duart i mbanin familjarët e viktimave të tragjedisë së Koçan dhe qytetarët e Koçanit të cilët marshuan nga Prokuroria Themelore Publike deri në parlament për të shprehur revoltën e tyre për lëshimet institucionale që mundësuan të digjet diskoteka Puls, si pasojë e të cilës humbën jetën mbi 60 persona, ndërsa u lënduan mbi 200. Nervoza, dëshpërimi, pakënaqësia, dhe mllefi i mbërthyer bëri që familjarët e viktimave të shpërthejnë ndaj institucioneve publike, sidomos ndaj ministrit të punëve të brendshme Pançe Toshkovski dhe prokurorit publik Ljubomir Jovevski.
“Më përgjegjës për zjarrin është Prokuroria Publike e shtetit tonë dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Të gjithë të jepni dorëheqje dhe të tërhiqeni nga kolltukët e rahatshëm”, tha Vlladimir Apostollov, njëri prej protestuesve, i cili hapur shprehu mllefin e tij ndaj politikanëve dhe funksionarëve shtetërorë. Pas mbledhjes para Prokurorisë Publike, familjarët vazhduan me marsh në drejtim të Parlamentit, ndërsa protestuesi Apostollov theksoi se tani po shkojnë në Parlament, ku po zhvillohet interpelanca ndaj ministrit të punëve të brendshme Pançe Toshkovski. “Propozojë ngadalë të shkojmë në Parlament, pasi duhet ta interpelojmë atë kryesorin për vrasjen e këtyre fëmijëve”, theksoi Apostollov, pas çka u nisën për në Parlament. Edhe para parlamentit, ata kërkuan dorëheqje të menjëhershme dhe të parevokueshme të ministrit Toshkovski.
“Toshkovksi – ti je më përgjegjës për këtë, ti e gënjeve të gjithë opinionin se do ta luftosh krimin. Urgjentisht dorëheqje dhe shko në shtëpi. Ti na gënjeve për krimet që kanë bërë qeverisja e kaluar, ku janë ato, a janë burgosur, ti i ke fshehur deri tani të gjithë kriminelët, ti je krimineli më i madh”, tha një familjarë i viktimave në protestë para Parlamentit. Ata kërkuan edhe dorëheqje të të gjithë deputetëve si nga pushteti ashtu edhe nga opozita. “Jashtë nga institucionet tona. Parlamenti është institucion i qytetarëve, i joni, jashtë, jepni dorëheqje dhe ikni prej këtu”, tha një protestues.
“Përderisa flisni këto ditë se policia është fajtorë se kanë hyrë apo nuk kanë hyrë në diskotekë dhe kanë shkuar në tjetër vend. Parashtrohet pyetja se kush i ka urdhëruar që duhet të shkojnë nga një vend në tjetër. Ministër e dimë se peshku nga ku mban erë të keqe, nga koka, nga ku e marrin urdhërin”, tha një protestuese tjetër, duke kërkuar llogari nga udhëheqësit e MPB-së dhe policisë të cilët sipas saj nuk kanë parandaluar tragjedinë. Ajo dënoi edhe qasjen e ministrave dhe deputetëve, sipas të cilës asnjë nga ato nuk janë treguar të gatshëm, të takohen me familjarët e viktimave dhe tu japin përgjigje pyetjeve të tyre. “Nëse ato të eshalonit të parë nuk mund të takohet me këto njerëz të thjeshtë, të na i lëshojnë deputetët të takohen me ne, së paku ti dëgjojnë kërkesat tona”, tha nëna e njërës prej viktimave të tragjedisë në Koçan. Prindërit thanë se lufta e tyre nuk do të ndalet derisa të marrin përgjigje të qarta dhe drejtësi të vërtetë për humbjen e fëmijëve të tyre.
Përderisa jashtë parlamentit situata ishte e tensionuar, me qytetarët e mllefosur të Koçanit, brenda objektit të Parlamentit zhvillohej seanca për interpelancën e ngritur ndaj ministrit të punëve të brendshme Pançe Toshkovski, të ngritur nga partia E Majta.
Nga kjo parti, siç thonë, interpelancën ndaj Toshkovskit e kanë ngritur me arsyetimin se ai gjatë kohës sa është ministër, në mënyrë të papërgjegjshme e ka kryer punën e tij. Kontrolli në diskotekën Puls, sipas deputetit Sashko Jançev të partisë E Majta, është obligim i MPB-së, gjë të cilën kjo ministri nuk e ka bërë, me çka ka rezultuar në tragjedi ku më shumë se 60 persona kanë vdekur, ndërsa më shumë se 200 janë lënduar. “Diskoteka ka punuar në këtë mënyrë për 13 vite, pa përmbushur kushtet dhe kjo është dëshmi për gjendjen institucionale që e krijuat ju, për shkak të dëshirës së madhe në pushtet, duke përfshirë edhe partinë që është në pushtet dhe e cila aktor si shpëtimtarë dhe stabilizues”, theksoi Jançev. Ai më tej theksoi një sërë lëshimesh, që sipas tij, i ka bërë MPB dhe ministri Toshkovski.
“MPB lëshon pëlqim për objektin se i përmbush kushtet për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe sigurinë e komunikacionit Përveç kësaj kompetence, MPB ka kompetenca të shtuara për diskoteka dhe kabare, edhe atë kontrollim i orarit të punës, kontrolli i zhurmës, kontrolli i pranisë së të miturve pas mesnate, kontrolli i përdorimit të alkoolit dhe substancave narkotike. Asgjë nga kjo nuk është bërë, të ishin bërë kontrolle, diskoteka nuk do të kishte ekzistuar. Argument shtesë është për përgjegjësinë e Toshkovskit është se licenca e falsifikuar është bërë në kohën kur ai ka qenë ministër”, theksoi deputeti i partisë E Majta Jançev, duke thënë se Toshkovski dhe MPB kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për lëshimet në tragjedinë në Koçan edhe për faktin se MPB ka kompetenca të gjëra për të kryer kontrolle ndaj mjeteve piroteknike në Maqedoni. “Kjo ministri ka kompetencë për të inspektuar dhe për të dhënë lejet se kush mund të shet dhe të përdorë mjetet piroteknike. MPB bukvalisht nuk ka ndërmarrë asgjë. Argument tjetër është se policët kanë refuzuar ti ndihmojnë adoleshentët gjatë zjarrit, përkundrazi janë distancuar. Ministri si përgjegjës për funksionimin e MPB-së ka kompetencë të plotë për sjelljen e policisë”, theksoi deputeti i të Majtës, Jançev.
Ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski në elaborimin e tij mohoi përgjegjësinë e tij në këtë rast. Ai tha se MPB-së nuk i është kërkuar mendim kur është bërë licenca.
“Po, licenca ka qenë e rinovuar në mënyrë fiktive kur unë isha ministër teknik, por pikërisht ajo licencë sot është lëndë e hetimit si e falsifikuar dhe si e marrë në bazë të indikacioneve për korrupsion serioz. Fakti se është falsifikuar e prish të gjithë konstruktin. Fakti që MPB-së nuk i është kërkuar mendim për rendin publik, edhe pse ajo është parakusht kur procedura është legjitime, vërteton se procedura e riparimit ka qenë tërësisht jolegale. MPB nuk mund të jep pajtueshmëri, nëse nuk i kërkohet, ndaj insinuatat për të fajësuar MPB-në janë tërësisht të papërmbajtshme”, theksoi Toshkovski, ndërsa theksoi se opozita po tenton të manipulojë opinionin.
“Një nga manipulimet që u mundua ti shitet opinionit të vendit është se nuk po burgosen funksionarët aktual. Por fakt është se me urdhër të prokurorisë është arrestuar kryetar aktual komune, fakt është se është arrestuar me urdhër të prokurorit Publik dhe ende është në paraburgim një ministër aktual, fakt është që ishte arrestuar edhe drejtor aktual i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, fakt është që ishte arrestuar një krye-shef aktual i stacionit policor, theksoi Toshkovski, duke thënë se policia as nuk ka bërë selektime, as nuk ka vendosur se kush duhet arrestuar, as nuk ka ndërmarrë veprime sipas kokës së vet, ndërsa tha se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në përputhje me udhëzimet e Prokurorisë Publike”, theksoi ministri Toshkovski gjatë fjalimit të tij në seancën parlamentare në të cilën u diskutua për interpelancën ndaj tij.
LSDM nga ana tjetër gjithashtu kërkoi përgjegjësi nga Toshkovski, ndërsa theksuan se mos-dhënia e dorëheqjes, qoftë për arsye morale, tregon për karakterin shpërfillës të Toshkovskit ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre.
“Nuk ka qenë i bërë plan operativ, nuk ka qenë e siguruar hapësira, nuk ka qenë i mbyllur objekti, edhe pse në atë ka qenë i konstatuar prania e adoleshentëve, nuk është reaguar për përdorimin e mjeteve piroteknike si dhe shumë lëshime të tjera”, theksoi deputeti i LSDM-së Mile Talevski. Përveç përgjegjësisë për tragjedinë nëKoçan, LSDM vlerëson se ministri Toshkovski duhet të jep përgjegjësi edhe për, siç thonë, vrasjet dhe krimet e përditshme që ndodhin në rrugët e vendit. “Shteti është shndërruar në perëndim të egër, rrugët e Maqedonisë janë vend i pasigurt ku në mes të ditës ndodhin vrasje dhe djegie të veturave, madje edhe para stacioneve të policisë, siç ishte rasti me vrasjen në Bit Pazar para disa ditëve”, theksoi Talevski. Ndërkohë, deputeti i të Majtës, Borisllav Kërmov kërkoi një orë pauzë, që të mundësohet hyrja e familjarëve të viktimave të Koçanit në galerinë e parlamentit, për të ndjekur nga afër seancën. Kryetari i parlamentit Afrim Gashi dha një orë pauzë, por tha se kërkesa e Kërmovit është tentim për të manipuluar me opinionin pasi, për tu mundësuar hyrja e qytetarëve në parlament duhet të lajmërohet dhe e organizuar paraprakisht. (koha.mk)