AKTUALE

U SHËNUA  20-VJETORI I  THEMELIMIT TË MEDRESESË “ISA BEU ” – PARALELJA E  VAJZAVE – TETOVË  DHE EKSPOZITA “ARTET E BUKURA”

Kush flet më bukur se arti. Pikërisht, nxënëset e Medresesë “Isa Beu” – paralelja e vajzave në Tetovë, më 25.4.2025, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, kishin zgjedhur artin kaligrafik, për të shënuar 20-vjetorin e themelimit të kësaj vatre të dijes.

Në prezencën e shumë mysafirëve, në mesin e të cilëve ishte edhe Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV-së, H. Shaqir ef. Fetai, shumica e muftinjve të Rijasetit, drejtori i Përgjithshëm i Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam Islami, koordinatori i paraleles së vajzave – Tetovë, Dr. Beqir Mehmedi dhe personalitete të tjera nga jeta akademike, nxënëset e Medresesë me duart e tyre të arta kishin përgatitur një ekspozitë për të shënuar këtë jubile.

Kreu i BFI-së, H. Shaqir ef. Fetai i emocionuar nga vepra e këtyre nxënësve, tha “ Zoti, gjithçka, ka bërë të jetë në harmoni të përsosur. Edhe natyra është një vepër që flet. Artisët në krijimtarinë e Zotit e gjejnë të bukurën. Andaj, nxënëset tona me shpirtin dhe zemrën e tyre përmes punimeve të tyre shprehin bukurinë e të Madhit Zot. Me prezencën tonë, japim përkrahje dhe freskohemi me krijimtarinë e tyre që na çon drejtë të bukurës”.

Reisul Ulemaja ef. Fetai, duke folur për 20-vjetorin e kësaj vatre të dijes, moralit dhe tabanit kombëtar shtoi “Ju jeni pjesë e një historie të bukur që me dije, besim dhe moral jeni shpresa e ndryshimit dhe ndërtimit të një shoqërie më të mirë”.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Medresesë “Isa Beu”, nxënëseve ju drejtua me këto fjalë “Kjo ditë është pasqyrë e talentit tuaj, e përpjekjeve dhe përkushtimit që keni treguar në çdo detaj. Ky aktivitet nuk është vetëm formë argëtimi, por është dëshmi e gjallë se feja Islame nuk e ndalon femrën të jetë aktive, krijuese dhe e angazhuar, përkundrazi ajo e nxitë dhe e inkurajon të zhvillojë aftësitë e saja, të përvetësojë diturinë dhe të japë kontribut në shoqëri me dinjitet dhe devotshmëri” Gjithashtu, ai i porositi nxënëset që të vazhdojnë të jenë të përkushtuara, të vendosura dhe krenare, sepse, sipas tij, me këto nxënëse, shoqëria jonë ka një të ardhme të ndritur, më të pastër dhe më të qëndrueshme.

Muftiu i Muftinisë së Tetovës, Dr. Selver Xhemaili, çmoi lartë këtë vepër të nxënëseve dhe, mes tjerash, tha “ Arti është një gjuhë universale. Ai flet për atë që shpesh nuk mund të thuhet me fjalë, për ndjenjat, ëndrrat, shpresat dhe sfidat tona. Dhe sot, përmes këtyre punimeve artistike medresantet na tregojnë se si shpirti i një shkolle fetare dhe edukative, siç është Medreseja, mund të bashkëjetojë në harmoni me krijimtarinë estetike dhe artin”

Për ekspozitën e përgatitur nga nxënëset e Medresesë, koordinatori i paraleles së vajzave – Tetovë, potencoi “kjo ekspozitë nuk është thjeshtë një shfaqje e bukurisë, por një dëshmi se si nxënëset tona, përveç dijes dhe moralit, kultivojnë edhe vlerat artistike që lidhen ngushtë me identitetin tonë fetar, kulturor dhe kombëtar”

Vlen të përmendet se që nga themelimi i kësaj shkolle, pra para 20 viteve, deri më sot kanë diplomuar 645 vajza

Related posts

Nga mesnata bëhet ulja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës

Gjyla Halili

Mexhiti: Në historinë e Parlamentit të RMV-së nuk ka pasur interpelancë më të dobët se sa ajo kundër meje

Gjyla Halili

RMV, fëmijët e pavaksinuar prej sot nuk do të pranohen në kopshte

Gjyla Halili