Anëtarja e komisionit juridik-ligjvënës, deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, sot në Kuvend bashkë me kolegët, pritën raportuesit e Komitetit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar dispozitat që garantonin përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën publike është një hap prapa për stabilitetin ndëretnik të vendit, ka shkruar deputetja e Ajdari.
Postimi i znj. Rina Ajdari:
🇲🇰🇪🇺Në cilësinë e anëtares së komisionit juridik-ligjvënës, sot në Kuvend bashkë me kolegët, pritëm raportuesit e Komitetit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përgjegjës për Dialogun Pas-Monitorues të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Këshillin e Evropës.
Në fjalën time theksova që ky proces është i rëndësishëm për avancimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e të drejtave të njeriut në vendin tonë.
➡️Sundimi i ligjit dhe reforma në drejtësi është themeli i çdo shoqërie demokratike. Megjithatë, përkundër deklaratave të qeverisë për përparësitë strategjike në fushën e drejtësisë, ne po shohim një mungesë të theksuar të veprimeve konkrete për të garantuar pavarësinë e gjyqësorit. Bashkëpunimi me Komisionin e Venecias dhe Këshillin e Evropës është i shprehur vetëm në letra, kurse në praktikë vazhdojmë të përballemi me një sistem të drejtësisë të kapur nga politika dhe të zhytur në pasiguri dhe korrupsion.
Reforma në drejtësi është e domosdoshme, por përparimi mbetet një iluzion, pasi ndikimi i
politikës është i pranishëm në çdo fazë të sistemit të emërimeve dhe dënimeve. Tragjedia e
fundit në Koçani ka vënë në pah pasojat tragjike të këtij sistemi të dështuar, ku korrupsioni
dhe neglizhenca administrative kanë marrë jetët e pafajshme. Kjo është një thirrje urgjente për
ndërhyrje të menjëhershme dhe për reforma të vërteta.
➡️Marrëveshja e Ohrit ka qenë një moment kyç në historinë e Maqedonisë së Veriut, duke i
dhënë fund një periudhe të vështirë dhe duke vendosur bazat për një shoqëri multietnike. Por, këto principe janë sot në rrezik. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar dispozitat që garantonin përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën publike është një hap prapa për stabilitetin ndëretnik të vendit. Kjo ka krijuar një ndjenjë të pasigurisë dhe të diskriminimit duke u rrezikuar gjithashtu paqja dhe bashkëjetesa.
Për më tepër, tentimet për të prekur Ligjin për përdorimin e gjuhëve, një nga arritjet më të
rëndësishme të integrimit ndëretnik, janë po ashtu shqetësuese. Duke kërkuar rishikimin e
këtij ligji nën argumentin e “efikasitetit administrativ”, qeveria po tenton të reduktojë të drejtat e shqiptarëve duke i përjashtuar nga vendimmarrja në nivel shtetëror. Ky është një hap
që rrezikon thellimin e ndarjeve ndëretnike dhe politizimin e çështjeve të identitetit kombëtar
dhe gjuhësor.
➡️Integrimi evropian është bllokuar për shkak të vonesave dhe të stagnimit të reformave. I gjithë angazhimi i qeverisë është reduktuar në një imazh të krijuar për konsum të jashtëm, pa pasur asnjë progres konkret në zbatimin e standardeve evropiane. Shohim një tentativë për të mbajtur status quo-në për të shmangur reformat e thella dhe të qëndrueshme.